E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Komision për të mbikqyrur zbatimin e ligjit antimafia

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ka njoftuar ngritjen e një komisioni të posaçëm për të mbikqyryr zbatimin e ligjit antimafia. Sipas Berishës, ligji që pritet të hyjë në fuqi brenda disa ditëve është vendimtar për çmontimin e mafias. "Ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar hyn tani në fuqi. Një komitet i veçantë do të ngrihet për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji. Zbatimi i tij është kusht vendimtar për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend", tha Berisha. Ai ngulmoi se po bëhen përpjekje të mëdha për të çmontuar me forcën e ligjit pasuritë e mëdha të përvetësuara nga pushtetarët e të gjitha niveleve gjatë këtyre 18 viteve që kanë bërë batërdinë mbi zonat publike. "Unë kam deklaruar se Mali i Dajtit është më i vogël se sa falsifikimet që kanë bërë në zonat më turistike dhe më të kushtueshme të vendit", u shpreh Berisha. Ai ftoi të gjithë qytetarët që disponojnë të dhëna në lidhje me këtë fakt ti dorëzojnë ato në interesin më të mirë të vendit. "I garantoj se në përputhje me ligjin do të shpërblehen", theksoi Berisha.
Ai u ka bërë apel deputetëve të votojnë moratoriumin e skafeve.
"Moratoruimi që ndodhet në parlament pret votën e deputetëve për të dërguar mesazhin më të shkëlqyer të vendosmërisë së autoriteteve shqiptare për luftën me 0 tolerancë ndaj krimit të organziuar", u shpreh Berisha.
Duke folur për çështjen e heqjes së regjimit të vizave, kryeministri tha se është bërë progres shumë i madh. Sipas tij, janë plotësuar një sëri kushtesh që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit. "Janë një sëri ligjesh që do të miratohen gjatë dy-tre javëve që vijnë për të dhënë përgjigjet e këtij procesi", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›