E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kongresi i PD do të shtyhet

 

artur kopani
Kongresi i PD-së nuk do të mbahet më 12 dhjetor, por do të shtyhet për një datë të pacaktuar. Kryeministri Berisha tha dje në një intervistë në emisionin “Log” në TVSH, se ky forum shtyhet për shkak të axhendës së tij.
Kohët e fundit janë publikuar një sërë skandalesh që kanë të bëjnë me trojet publike, lejet e ndërtimit, sidomos në kryeqytet. A është trajtuar kjo si një formë presioni që ju përdorni drejt Pushtetit Vendor?
S‘ka asnjë formë presioni. Dje u kthye Aldo Bare nga Antalia, ka drejtuar bandën më të rrezikshme të vendit, janë dhjetëra të vrarë, por do të garantoj se nuk është i vetmi. Mafia e tokës, ka dhe Aldo Bare të tjerë, dhe unë këto do përmbledh një nga një. Në mënyrë të përsëritur para mediave kam deklaruar, se në çështjen e pronësisë jemi hasur me një mal “Dajti” falsifikimesh, kjo është e vërteta. Por ajo që më inkurajon shumë është fakti se beteja me falsifikime me shtetin nuk është betejë e humbur. Natyrisht do kohë, unë mbi bazën e falsifikimit, dy vjet më parë kam marrë vendim qeverie, sapo u zbuluan dokumentet, që asgjësonin tërësisht falsifikimin, unë mora vendimin e qeverisë dhe natyrisht do bëhen përgjegjës ata që kanë dorë. Falsifikimi, përvetësimi i trojeve, i tokave, është krimi më gjigand, i rëndë sa Dajti, që është kryer në këtë vend nga njerëzit e pushtetit. Në tërësi klanet mafioze të lidhura me pushtetin. Kam deklaruar a ishte momenti të merresha para zgjedhjeve me to? Jo, unë kam bërë fushatë pozitive, zoti Rama i ka lejuar vetes të shpifë të trillojë të shajë gjatë gjithë ditëve, të ndërtojë fushatën më negative, me një këshilltar famëzi, që është demoni i negativiteteve, unë s‘kam lëvizur nga pozicioni im, fushatë pozitive. Pjesën tjetër, unë do të prisja rezultatin e zgjedhjeve, Watchdog-un, unë do të prisja vlerësimin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet, nuk doja unë që të krijoj alibinë e kutisë, apo alibinë e zgjedhjeve. Tani, i nderuar zotëri, atë që deklarova se mafies me darët e ligjit do t’i shkulen rrënjë e dhëmballë, dhe zotit Rama i erdhi rëndë, do t‘i them jo vetëm atë por edhe nofullën, me darët e ligjit. Në mënyrë absolute kjo qeveri do të bëjë një gjë, që kush ka vjedhur pronë publike të mos e gëzojë. Ajo është vetëm një hapësirë e vogël, shumë shpejt do të dalë qoshe pas qoshe. Do të jap vetëm një shembull.
Kjo nuk është vetëm në Tiranë?
Jo jo, kjo është kudo. Po të jap vetëm një shembull, autoritetet pushtuese italiane kanë respektuar gjithnjë kodin civil që kanë pasur dhe kjo është e njohur universalisht. Blejnë pronën në iks territor, është ngjarje reale kjo. E blejnë dhe i japin pronarit paratë. Falsifikatorit i lind ideja për ta marrë tokën. Hap gjyqin, dhe thotë se tokën ja bleva përsëri Anjelit. Po si ja bleve? Në vitin 1952, Giani Anjeli erdhi në Shqipëri dhe unë i dhashë napolona, mori shkroi dokumentin por harroi ta shkruante me G e shkruajti me D, dhe më kujtohet sa e kishte rishit Anjeli tokën që kishte blerë vetë. Kemi të bëjmë me një mal falsifikimesh, nuk është vepër e njerëzve të thjeshtë, në tërësi është e klaneve mafioze të lidhura me pushtetin mafioz. Dhe unë i siguroj shqiptarët se jam më i vendosur se kurrë t‘i shkoj deri në fund këtij problemi. Mafia meriton ligjin, darët e ligjit, gërshërët e ligjit, forcën e ligjit dhe këtë do të ketë.
Më 8 dhjetor, ju keni paralajmëruar një festë të madhe, të cilën disa media, por edhe opozita e ka cilësuar si një përpjekje për antimiting. Çfarë e bën të veçantë këtë ditë?
Vetëm mendësia staliniste, vetëm ata që kanë ide staliniste mund ta konsiderojnë antimiting. M’u rikujtua 8 dhjetori i vitit 1990, në 8 dhjetorin e vitit’ 90, e patën shpallur antimiting, na quajtën mitingashë, nuk lanë etiketë pa na vënë, por është një ditë e lavdisë së rinisë shqiptare. Ajo është një ditë, ndër më të mëdhatë në historinë e këtij vendi, atë ditë, në Berlin, në datën 9 nëntor e nderoi e gjithë bota e lirë. Është 20-vjetori i Rënies së Murit të Berlinit, për ne shqiptarët kjo ditë është 19 Dhjetori i Rënies së Murit të Berlinit, dhe atyre që u vret sytë kjo ditë, i tmerron kjo ditë, të skuqen dhe të turpërohen sepse kjo është dita që na bëri të lirë, kjo është dita në të cilën studentët liberatorë u përballën me kuçedrën e diktaturës më të egër në Evropë dhe në botë. Është një ditë që duhet ta festojnë të gjithë, ditë që duhet të bashkojë në idealin pluralist shqiptar. Se ku e kanë hallin, puna e tyre, është dhe Vaterloja e etërve të tyre. Ata duhet të shkëputen, ecim drejt Evropës. Dje, Edvin Rama e ka krahasuar me mitingun e 13 korrikut, ishin të gjithë ata që sot janë nën shpurën e Edi Ramës, ishte Namik Dokle, ishte i ati i Edi Ramës, ishte Skënder Gjinushi, ishte Xhelil Gjoni, i ati i deputetit, ishin e gjithë nomeklatura që janë strukturat e Edi Ramës, e kanë vendosur ta rikujtojnë si Vaterlo, le ta rikujtojnë, ajo është dita e ngadhnjimit. Vërtet e ngadhnjimit të madh. Dita më mbresëlënëse e tërë jetës sime, sepse kishim një regjim, jo të cilin koha ka njohur, 8 dhjetori do rikthejë kujtesën e shqiptarëve, lirinë e shqiptarëve, riktheu pluralizmin e shqiptarëve, të ardhmen evropiane të shqiptarëve. Të krahasosh 8 dhjetorin me mitingun e Ramiz Alisë për të ngritur Murin e Berlinit, krahason të pakrahasueshmen. Edi Rama nuk ishte më 8 dhjetor, as në 9 e as në 10, dhe kur miku im e nxori nga media, i thashë përse e nxore nga media, më tha, qelbej erë, ishte i palarë. Më pas më tha, ku ishte, ishte në Korfuz me një shok, kishte hapur ekspozitën, nuk mund të them gjë, por t‘u bëj një lidhje gjërave, s‘është se ka të drejtë, ka shumë të drejtë, që i duket si kundëraksion i Vaterlo-s. Ne do ta festojmë, do ta festojmë fuqishëm, i ftojmë të gjithë shqiptarët.
Një pyetje të fundit, në pozicionin tuaj si Kryetar i Partisë Demokratike, katër ditë më pas se kjo festë, ju do të mblidhni kongresin e PD. Ka filluar media me diskutimet lidhur me statutin, për ndarjen e posteve të partisë me qeverinë. Sa pro dhe kundër jeni ju ndaj saj dhe a besoni se do të ketë një rivalitet për pozicionin e drejtuesve në parti?
Së pari, më duhet të korrigjoj datën, kryesia ka vendosur të mblidhej në datën 12, por mund të ketë një shtyrje date për shkak të një obligimi madhor timin, megjithatë do ta shqyrtoj. Data 12 nuk mund të jetë. Përsa i përket kërkesave të tjera, ky kongres mblidhet me kurorën e fitores, u mblodh para zgjedhjeve për të shpalosur programin e Shqipërisë Evropiane, mblidhet pas zgjedhjeve si kurorë fitoreje. Mblidhemi fitimtar, diskutimet bëhen hapur, vendimet do të jenë tërësisht demokratike, në tërësi ajo çka do të them për Kuvendin e Partisë Demokratike, është Kuvendi i fitores. Jo më kot e lamë me dy faza, në rast se do kishim humbur zgjedhjet, sigurisht do bënte analizën e humbjes, tani kemi fituar, kemi fituar me dinjitet, kemi fituar me proces zgjedhor të lirë, na takonte ne, t’i jepnim vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe hyjmë në këtë kongres më krenarë se kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›