Meta: Liderishipi aktual i PS është peng i krimit të organizuar
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shprehet se ka qenë i hapur për të plotësuar kushtet e opozitës për hetimin e zgjedhjeve, krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, por jo të shkelë ligjin dhe Kushtetutën për hapjen e kutive të votimit. Numri dy i Qeverisë, Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Ora e debatit” me gazetarin Alfred Peza në TV Ora News, u shpreh se i ka dhënë konsensus opozitës, por ajo nuk ka pranuar. “Qeveria ka mbajtur një qëndrim konstruktiv në përgjithësi. Pra ka qenë i hapur për çdo gjë dhe për t’i dhënë shumicën edhe në Komision Hetimor Parlamentar për çështje të ndryshme. Por padyshim ka qenë shumë e qartë në një aspekt që Qeveria dhe Parlamenti nuk mund të marrin kompetencat e gjykatave. Sepse problemet e numërimit dhe të rinumërimit i ka vendosur dhe gjykuar Gjykata e Apelit, pretendimet e PS-së mbi bazën e Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus mes zotit Rama dhe zotit Berisha. Qeveria ka qenë shumë e hapur, konstruktive, por ne kemi vënë re dhe duket qartë se ky konstruktivitet është kuptuar si dobësi”, tha Meta. Zëvendëskryeministri në të njëjtën kohë akuzoi Kryetarin e PS-së, Edi Rama, pasi sipas tij, po mban peng partinë më të madhe të opozitës, pasi është lidhur me segmente të krimit të organizuar, duke futur PS-në në një qorrsokak. “Duket qartë se lidershipi i aktual i PS-së është peng i krimit të organizuar, peng i atyre që duan ta kthejnë Shqipërinë në një lavatriçe, siç kanë kthyer Bashkinë e Tiranës. Provat kanë dalë dhe do të dalin çdo ditë për këtë”, tha Meta.
protesta e ps
Sipas tij, mitingu i opozitës ishte i pakuptimtë, pasi ka qenë vetë 20 mijë komisionerët e PS-së që kanë numëruar kutitë, kanë realizuar numërimin e votave dhe kanë firmosur të gjitha procesverbalet. “Mitingu ishte një gjë e pakuptimtë, opozita është fare e pakuptimtë, fare pa moral, pa asnjë vizion, është në kundërshtim me traditën që ka pasur PS-ja si një forcë e përgjegjshme e institucioneve. PS ka vetëm një problem, nuk flas për socialistët e thjeshtë absolutisht, sepse e kanë kuptuar se kjo nuk është rruga e duhur që është zgjedhur. Halli i tyre mendoj se duket shumë qartë ka vetë synimet e tyre që janë një destabilitet i vendit, janë një zhvlerësim i gjithë sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit. Nuk mendoj se kjo nuk bëhet thjeshtë për interesa politike, por bëhet për interesa të krimit të organizuar”, theksoi Meta. Kërkesa për hapjen e kutive të votimit për kreun e LSI-së nuk është rruga e duhur që synon Shqipëria për të ecur drejt shtetit ligjor. “Po hajde të lirojmë Aldo Baren. Nesër Edi Rama mund të thotë të lirojmë dhe ndonjë tjetër për hir të konsensusit. Kjo është rruga që duhet ndjekur drejt shtetit ligjor? Në Shqipëri, Gjykatat janë të pavarura. Gjykata e Apelit ka marrë të gjitha vendimet për të gjitha ankesat që kanë pasur partitë politike. Kjo është një çështje e mbyllur”, tha Meta. Sipas tij, vendimi i ministrave të BE-së është marrë pasi ministrat e jashtëm u njohën me raportin final për zgjedhjet. “Pasi doli raporti i OSBE-së, kërkesa për aplikim u kalua sepse e gjithë bota demokratike njeh zgjedhjet në Shqipëri, njeh Parlamentin, njeh Qeverinë, si SHBA, BE dhe OSBE. Askush nuk mund të pranojë një marrëzi të tillë, kjo është thjesht një alibi për të krijuar rrëmujë dhe kaos dhe për të cenuar themelet e një shteti ligjor dhe i gjithë shtetit kushtetues në këtë vend”, tha Meta.
Fjalimi i Berishës
Ndërsa në lidhje me fjalimin e Kryeministrit Berisha në Kuvend, Meta theksoi se ai erdhi si rezultat i sulmeve që kishte bërë opozita përgjatë tre muajve rresht. Për kryediplomatin, Shqipëria nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi ato do të jenë më 28 qershor të vitit 2013. Sipas tij, deklarata e Berishës për shkuljen e nofullës nuk kishte të bënte me opozitën, por me luftën kundër krimit të organizuar. “Unë nuk jam dakord të përmenden familjet në këtë histori. Nuk jam dakord të përmenden këto lidhjet biografike, sepse unë mendoj se çdo qytetar mban përgjegjësi për veten e tij. Ka ikur koha kur një njeri lidhej domosdosmërisht kur donte të dëmtohej me pjesëtarë të familjes dhe gjendeshin kleçka për të zhvlerësuar ato aftësi që ai mund të kishte. Por në fund të fundit, qytetarët shqiptarë nuk mund të dëgjojnë dënglat e Gramoz Ruçit, pas 20 vjetësh demokraci, kur flet për integrimin evropian te sheshi dhe vë afate e ultimatume. Ne e dimë se çfarë përfaqëson ky njeri? Është njeri me probleme nga më të ndryshme, ku që nga kohët e tij ka qenë Ministër i Brendshëm, është njeri që donte të fuste në luftë Fierin”, tha Meta.