Berisha: Konsensus me opozitën për reformat
TIRANË- Duke e konsideruar 2008-ën si vitin e reformave të mëdha, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për çështjet më të rëndësishme që do të diskutohen këtë sesion parlamentar. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha renditi si përparësi miratimin e Kodit Zgjedhor. “Komisioni zgjedhor ka vazhduar punën në nivel ekspertësh edhe gjatë periudhës së pushimeve. Komunikimi ka qenë i pandërprerë midis palëve. Është shumë e rëndësishme ta konkretizojmë këtë ligj bazë të vendit dhe të shoqërisë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që t’i jepet kohë institucioneve përgjegjëse për përvetësimin dhe zbatimin e tij sa më të sigurt dhe të paanshëm”,- tha dje Berisha. Një tjetër draft, për të cilin Kryeministri ka kërkuar konsensus, është edhe ai për kufizimin e imunitetit të deputetit. “Është hipokrizi të flasësh çdo ditë për korrupsionin dhe të mbash imunitetin tënd. Dhe imuniteti ka rregulla se si hiqet, nuk mbrohet as me deklarata të njëanshme, nuk është i asnjë personi, por është i një institucioni dhe ai hiqet me ligje”,- tha Berisha. Thuajse të njëjtën ftesë ai ka ofruar edhe për ligjin për prokurorinë që po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë, përmbajtja e të cilit, sipas Berishës, është sipas standardeve të larta. “Ju siguroj se pavarësisht nga komentet se do të jetë i standardeve më të mira, kjo mazhorancë është thellësisht e përcaktuar për standarde demokratike. Ligji do të konsultohet me grupet e interesit, por Kushtetuta e këtij vendi, sikundër të gjitha kushtetutat e tjera, autorizimin e ligjeve dhe të reformave ja përcaktojnë qartë mazhorancës dhe qytetarëve dhe këtu nuk mund të ketë iluzione se do të ketë përjashtime. Natyrisht, konsultimet janë dhe mbeten të domosdoshme me të gjitha grupet e interesit”,- tha Berisha. Megjithatë përpos angazhimit apo konsensusit që mund të japë opozita, Kryeministri theksoi se ligjet do të votohen në Kuvend. “Ligjet do të votohen dhe ne jemi shumë të hapur për t’i votuar duke mirëpritur çdo kontribut të opozitës. Natyrisht ato janë të domosdoshme dhe ato do të votohen në Parlament”,- tha ai.