Ja çfarë nevojitet për të hyrë në klasë të parë

TIRANË - Me qindra nxënës të sistemit arsimor parauniversitar iu drejtuan dje dyerve të shkollave për t’u regjistruar. Afati i fundit i mbylljes së këtyre regjistrimeve do të jetë data 12 shtator, ndërsa shkolla do të fillojë në datën 15 shtator. Gjatë një prononcimi që dha dje për “Korrierin” shefja e Zyrës së Inspektimit të Drejtorisë Arsimore Rajonale në Tiranë, Mira Peshkatari, shpjegoi dokumentacionet që duhet të dorëzojnë disa kategori nxënësish. Bëhet fjalë për nxënësit që vazhdojnë për herë të parë shkollën, për nxënësit që kanë ndërruar shtëpi dhe duan të ndërrojnë shkollë, për nxënësit që duan të kalojnë nga shkolla private në shkollë publike, si dhe nxënësit që duan të ndërrojnë profil. “Regjistrimi i nxënësve të klasave të para në shkollat 9-vjeçare do të bëhet në bazë të vendit ku ndodhen. Pra, regjistrimi i këtyre nxënësve do të bëhet sa më pranë vendbanimit të tyre”, tha Peshkatari. Ajo sqaroi se prindërit duhet të bëjnë dorëzimin e këtyre dokumentacioneve pranë shkollave përkatëse: certifikatën e banimit, certifikatën e lindjes dhe certifikatën e vaksinimit të nxënësit. Nxënësit e klasave të tjera, të cilët kanë ndërruar shtëpi dhe duan të vazhdojnë studimet pranë njërës prej shkollave të kryeqytetit, duhet të pajisen me një dokumentacion pranimi nga të dyja shkollat. Këta nxënës duhet të marrin një fletë pranimi nga shkolla ku duan të vazhdojnë studimet dhe t’ia dërgojnë shkollës ku kanë studiuar më parë. Kjo e fundit duhet t’u lëshojë atyre një fletë shpërnguljeje, të cilën nxënësit duhet ta dorëzojnë në shkollën ku duan të vazhdojnë studimet. Ndërsa nxënësit që jetojnë në Tiranë, por duan të ndërrojnë shkollën, mund ta bëjnë shpërnguljen e tyre vetëm në qoftë se shkolla ku ata duan të aderojnë nuk e ka plotësuar numrin nxënësve. “Për sa u përket nxënësve që kanë studiuar në shkolla private dhe duan të shpërngulen pranë shkollave publike, duhet të pajisen me një dokument verifikimi pranë drejtorisë arsimore rajonale”, vijoi më tej Peshkatari. Për të kaluar nga shkolla private në atë publike, nxënësit e interesuar duhet të marrin pranë zyrave të DAR-it një dokument, në të cilin të provohet se shkolla ku ata kanë studiuar është e licencuar.
Në MASH nëse dëshironi të ndryshoni profil
Sipas shefes së Zyrës së Inspektimit të DAR-it, Mira Peshkatari, edhe nxënësit që duan të ndërrojnë profil duhet të pajisen me një dokument shtesë. Për shembull, në qoftë se një nxënës dëshiron të kalojë nga profili natyror në atë shoqëror, ai duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Arsimit për të tërhequr një dokument, i cili e lejon kalimin nga një profil në tjetrin. Ndërsa nxënësit që do të regjistrohen në vitin e parë të shkollës së mesme duhet të kenë patjetër një vërtetim nga DAR-et përkatës. Ky vërtetim është i nevojshëm, për arsye se nxirret në bazë të vendbanimit dhe shkollës që nxënësi ka ndjekur më parë.