Berisha: Kontroll arkës së Bashkisë së Tiranës

Ministria e Financave do të hetojë të ardhurat e Bashkisë së Tiranës dhe do të bëjë bllokimin e një pjese të tyre në Thesarin e Shtetit. Ky ishte udhëzimi që dha dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha ndaj ministrit të Financave, Ridvan Bode. Kreu i qeverisë theksoi se kjo masë do të merret për shkak të abuzimeve të shumta që janë bërë me taksat e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Por mazhoranca nuk do të mjaftohet vetëm me bllokimin e këtyre të ardhurave nga taksat, por ajo do të bëjë edhe një rishpërndarje të tyre për të kompensuar bizneset. “Këshilli bashkiak dhe Ministria e Financave duhet të bëjnë kontroll të hollësishëm të të gjithë të ardhurave, sipas zërave dhe çdo gjë që do të jetë e marrë mbi ligjin, duhet t’u kthehet atyre që kanë paguar. Do të bllokohen të gjitha të ardhurat në Thesar dhe do të studiohen rrugët që tepricat t’u kthehen atyre që ky ua ka marrë mbi ligjin”, njoftoi Kryeministri Berisha. Sipas tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreu i socialistëve, Edi Rama, ndonëse flet gjatë gjithë kohës se në financat e shtetit ka krizë, harron atë barrë të lartë fiskale që po iu vendos biznesmenëve të kryeqytetit. Kryeministri u ndal edhe në taksën e bizneseve për tabelën, duke theksuar se ajo është pesëfishuar në mënyrë krejtësisht jashtëligjore. “Problemi më i madh ekonomik ekziston në qytetin e Tiranës, ku kapitalistëve të vegjël, mikroborgjezëve, Edi Rama u ka rezervuar barrën më të rëndë fiskale bashkiake. Zoti Rama ka trefishuar taksën e mjedisit, ka pesëfishuar taksën e tabelës, ka shpikur një sistem fiskal sikur Tirana të ishte Pheniani dhe jo kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s”, deklaroi Kryeministri. Ai shtoi se Parlamenti ka votuar një ligj sipas të cilit taksa e tabelës të jetë vetëm 1 euro. Nga ana tjetër, Kryeministri e krahasoi Edi Ramën me ish-diktatorin Enver Hoxha për sa i përket logjikës për borxhin e jashtëm të Shqipërisë.
Sipas Berishës, është e dhimbshme të shohësh opozitën që nga mëngjesi deri në darkë që flet për borxhin me të njëjtën urrejtje siç flitej dikur për kapitalizmin dhe borxhin e tij. “Me këtë logjikë Enver Hoxha pati ndaluar me Kushtetutë marrjen e borxhit, pavarësisht se e zhyti vendin në mënyrën më antikushtetuese dhe në mënyrën më të tmerrshme në borxhe. Ai e shkroi në Kushtetutë dhe këta kanë nostalgji”, deklaroi Berisha. Kryeministri shtoi se PS sot po flet me parimet dhe konceptet e komunizmit. Nga ana tjetër kryeministri përsëriti se qeveria që ai drejton do të rrisë në datën 1 korrik rrogat dhe pensionet, duke bërë që të përfitojnë 820 mijë qytetarë shqiptarë. “Që më datën 1 korrik, 820 mijë qytetarë, 820 mijë familje do të kenë në kontot e tyre, në portofolat e tyre, një shtesë të rëndësishme që tejkalon 2 deri në 7 herë inflacionin, i cili fatmirësisht po ulet. Kjo rritje e rrogave dhe pensioneve i bën qytetarët shqiptarë të ndihen më europianë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se rritja e bën pagën mesatare në Shqipëri 500 dollarë. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se me këtë rritje bëhet edhe balancimi i mëtejshëm i rrogave të mesme me ato të niveleve të larta.
“Ne trashëguam një hapësirë me diferencë 1 me 11 dhe e kemi sjellë tani në 1 me 5 apo 1 me 6. Janë tipike raportet e vendeve të qytetëruara perëndimore. Brezhnjevi dhe Enveri i kishin ato raporte. Punëtori merrte 4 mijë, Spiro Koleka merrte 36 mijë”, deklaroi Berisha. Sipas tij, qeveria do të vijojë punën normale të saj dhe Edi Rama mund të vazhdojë të flasë për krizë.