E Diel, 1 Nëntor 2026

Restaurim me baza shkencore për trashëgiminë

Reforma Specialisti Frederik Stamati sugjeron ngritjen e një grupi për analiza shkencore përpara çdo ndërhyrjeje

Ndërsa këto kohë vazhdon të flitet për një riorganizim të trashëgimisë kulturore, specialistët ngrenë probleme të ndryshme në fushat që mbulojnë. E gjitha lidhet me funksionimin e hallkave që merren me trashëgiminë. Frederik Stamati ngre së fundmi problemin e restaurimit si një hallkë e domosdoshme për jetëgjatësinë e trashëgimisë materiale. “Duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme që të jetë në dobi të vizitorit të turizmit dhe ta bëjë sa më efikase punën në restaurim. Ka shumë mendime lidhur me këtë çështje përmbi strukturat dhe organizimin e drejtimit të tyre, por mua më intereson dhe më prek më tepër çështja shkencore e punës së restaurimit. Restaurimi duhet të bëjë një hap përpara nga ky nivel që jemi sot. Ne duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që trashëgimia, në rastet kur kemi ndërhyrje restauruese, të trajtohet në mënyrë të përhershme. Materialet për trashëgiminë duhet të konceptohen njësoj si puna e mjekësisë. Pra, një pacient që është i sëmurë, duhet të paraqitet te mjeku, të vizitohet, të bëjë analizat, t’i japë mjekimin e të kontrollohet vazhdimisht sipas ecurisë së sëmundjes. Ky mendim vlen për objektet, por edhe për kishat e kalatë”, shprehet Stamati. Ai propozon që të ngrihet një grup i analizave shkencore, që t’i paraprijë punës së specialistëve të institucioneve që merren me trashëgiminë. Sipas tij, çdo ndërhyrje restauruese që nuk bëhet mbi baza shkencore, nuk garanton rezultatin dhe në rastin më të keq mund të shërbejë edhe si element shkatërrues i objektit apo monumentit. “Që të ndërhysh mbi trashëgiminë materiale, duhet të dish se ç’po ndodh me objektet e me monumentet. Ata kanë rrjedhën e tyre. Me kalimin e shekujve, nga elementët atmosferikë, nëntoka, trajtimi i njerëzve, kalojnë faza të ndryshme. Ata kanë një jetë në transformim të vazhdueshëm, si pasojë e strukturës së tyre të ndërtimit dhe faktorëve të ndryshëm që kanë vepruar. Kjo përcakton edhe jetëgjatësinë e tyre. Që të marrësh dhe të stabilizosh një objekt ose monument, duhet të dish edhe se cila është anatomia e këtij objekti e më pas të bësh ndërhyrjen për ta shpëtuar. Te ne, në fushën e trashëgimisë i vetmi laborator i cili i ka ndjekur këto monumente deri në një farë mase është Laboratori i Konservimit dhe i Arkeometrisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, i cili u ngrit në një nivel mjaft të lartë shkencor. Por të tilla probleme nuk janë ndjekur në Institutin e Monumenteve ose në muzeume të ndryshme të Shqipërisë”, thekson Stamati. Por nëse deri më sot pjesa më e madhe e ndërhyrjeve janë bërë pa analiza, natyrshëm lind pyetja nëse kjo mënyrë të vepruari shkakton dëme. “Sigurisht që po, thotë Stamati. Le të marrim si shembull një kishë. Nëse në themelet e saj ka lagështirë, me shumë mundësi mund t’u kalojë afreskeve, që mund të marrin edhe kripëra apo elementë të tjerë që sjellin ndryshime në materiale. Atëherë janë të nevojshme paraprakisht analizat shkencore, për të kuptuar se çfarë ka ndryshuar dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndalur fenomenin”. Sipas Stamatit është e domosdoshme që në këtë ristrukturim të strukturave të trashëgimisë të merret parasysh edhe ky element.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›