E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kosova arritje të mëdha në 20 muaj

Kryeministri Sali Berisha në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi shtetin e Kosovës si faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon. Sipas tij, në Kosovë po vendosen standarde që vendet e tjera do t'i kenë zili, si për shembull ai i respektimit të pakicave. "Ky është roli i madh i Kosovës për paqe dhe stabilitet në rajon", tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë shqiptare në 20 muaj Kosova ka mund të realizojë arritjet më të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare më shumë se çdo vend tjetër.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se Kosova është njohur nga 62 vende të botës, është anëtare e FMN-së dhe BB-së, ndaj ekonomia e saj mund të quhet një ekonomi dinamike. Sali Berisha tha se qeveria shqiptare do t'i japë Kosovës portin e Shëngjinit. "Porti i Shëngjinit është gati për Kosovën. Vitin e ardhshëm do nisë edhe projektimi i hekurudhës që do lidhë dy vendet tona", pohoi ai. Po ashtu Berisha premtoi se do të përfundojë rruga Qafë-Morinë-Shkodër, për lidhje të vazhdueshme me pjesën perëndimore të Kosovës.
Kryeministri Berisha tha se nënshkrimi i marrëveshjeve mes dy vendeve ditën e sotme kërkon të vendosë në rajon standardet evropiane. Ai tha se në të ardhmen do nënshkruhen marrëveshje të tjera që do konsolidojnë partneritetin vëllazëror mes dy vendeve.
Duke folur për marrëdhëniet e mira me Malin e Zi dhe Maqedoninë, kryeministri shqiptar theksoi se shpreson në marrëdhëniet e mira me Serbinë, pasi fobia nuk i shërben askujt.
Numri 1 i qeverisë shqiptare tha se Kosova e lirë është arritja më e madhe e shqiptarëve në historinë e tyre. "Kjo është arritja më e madhe për kombin shqiptar. E ndjej veten me fat që jetova këto kohëra", tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha vlerësoi rolin dhe kontributin e Hashim Thaçit në çlirimin dhe më pas shpalljen e pavarësisë së Kosovës. "Por edhe në udhëheqjen e Kosovës në një nga periudhat më historike për Kosovën", tha Berisha.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i prekur thellë për vizitën e kreut të qeverisë shqiptare Berisha në Kosovë. "Ndihem i prekur sepse takoj Berishën në një moment që Kosova është e pavarur, dhe me vizion të qartë për integrim në NATO dhe BE. Vizita e Berishës është vizita e parë në Kosovën e pavarur, ndaj mirësekeradhur në Kosovën e pavarur zoti Berisha", tha Thaçi.
Duke vlerësuar Berishën si arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri dhe realizuesin e projektit të ëndravve Durrës- Morinë,
kryeministri kosovar Hashim Thaçi deklaroi se është çështje ditësh nisja e punimeve për ndertimin e rrugës historike Morinë-Prizren Prishtinë.
Thaçi falenderoi Berishën dhe qeverinë shqiptare në mbështetjen për forcimin e qeverisë së Kosovës.
Kreu i qeverisë kosovare tha se tashmë shteti i Kosovës po konsolidohet. "Ndaj mund të themi publikisht se raportet Kosovë-Shqipëri janë vëllazërore. Bashkëpunimi i shkëlqyer po thellohet në vazhdimësi, këtë e demostron edhe nënshkrimi i 6 marrëveshjeve ditën e sotme", tha ai.
Thaçi tha se bashkëshia ndërkombëtare mbështet bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë. "Nga ndërkombëtaret kemi inkurajim për bashkëpunim", tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare dhe ai kosovar firmosën 6 marrëveshje ndërshtetërore që kanë në thelb thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Mediat i kanë kushtuar vëmendje shumë të madhe vizitës së kreut të qeverisë shqiptare, po ashtu edhe në rrugët e Prishtinë janë vendosur shumë banderola ku shkruhet "Mirëserdhe Sali Berisha.
Berisha shoqërohet në këtë takim nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe zëvendësministrja e jashtme Edi Harxhi.
Kjo është vizita e parë e kryeministri Berisha pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Gjatë vizitës së tij, kreu i qeverisë shqiptare do të pritet nga liderët institucional të Kosovës, nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe liderët e tjerë sikurse Ramush Haradinaj (AAK), Nexhat Daci (LDDK), Bexhet Pacolli (AKR) etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›