E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha - PS-së: Ejani në Kuvend të ndryshojmë Kodin

Berisha lëshon ftesa për bashkëpunim, por nuk pranon kushtet e PS-së


TIRANË- Kryeministri, Sali Berisha, përsëriti ftesën ndaj opozitës për të qenë e pranishme në Kuvend. Sipas tij, opozita parlamentare duhet të jetë në Kuvend, për të dhënë kontributin e saj në kryerjen e reformave, duke premtuar se zëri i opozitës do të dëgjohet me çdo kusht dhe me seriozitet.


Duke folur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha vuri në dukje se mazhoranca është e gatshme të pranojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, vetëm e vetëm që opozita, veçanërisht Partia Socialiste, të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.


Por, kryeministri Berisha i ka devijuar së tepërmi kërkesës kryesore të opozitës, e pikërisht hapjes së kutive të votimit. Berisha është shprehur i gatshëm në parim për bashkëpunim, por në të njëjtën kohë, ai nuk ka pranuar kushtet kryesore të kësaj force politike. "Ftoj opozitën të japë kontributin e saj për reformat, duke marrë pjesë në Parlament.


E garantoj se zëri i saj do të dëgjohet, madje në përmirësimet e Kodit në bazë të sugjerimeve të OSBE-së, opozita do të ketë rol vendimtar", - tha dje Berisha. Ai u shpreh se opozita duhet të vijë në Kuvend, dhe të dëshmojë se është pro procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe jo kundër tij.


"E ftoj opozitën të tregojë me praninë e saj në Kuvend se e mbështet liberalizimin e vizave dhe se nuk është kundër këtij procesi. Ne do të realizojmë çdo reformë, por nuk është mirë t`ia lëmë meritën vetëm njërës palë", - shtoi Berisha.


Nga ana e saj, opozita e ka cilësuar ftesën e Berishës si "ambulante", dhe se PS-ja nuk do të marrë pjesë në Kuvend deri në zbardhjen e procesit zgjedhor të 28 qershorit.


Partitë e majta, me në krye Partinë Socialiste dhe disa parti opozitare të spektrit të djathtë, do të organizojnë protestë më 10 tetor, si shenjë refuzimi ndaj qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›