Kuvendi miraton draftin për minatorët
TIRANË - Kuvendi miratoi në parim projektligjin e qeverisë që kufizon moshën e daljes në pension të punonjësve të nëntokës, nga 65 vjeç në 60 vjeç, si dhe vjetërsinë në punë nga 35 vjet në 30 vjet, nga të cilat 15 vjet punë duhet të jenë kryer në nëntokë.
Drafti i qeverisë, i propozuar nga Ministria e Financave dhe i hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, u mbështet dje nga deputetët e mazhorancës, ndërkohë që në sallë ashtu si edhe punimet e tjera të Kuvendit, mungonte grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Sipas kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, projektligji është një premtim i mazhorancës, i bërë gjatë fushatës elektorale, e cila tanimë po kthehet në realitet.
"Është një iniciativë për t'u përshëndetur dhe që meriton mbështetjen e të gjithë deputetëve ndaj kësaj shtrese, e cila ka një nga kontribut kryesor në ekonominë shqiptare. Projektligjin ua kishim borxh dhe ua kishim premtuar"- tha ajo.
Numri i atyre, që do të përfitojnë nga zbatimi i këtij ligji, mendohet të jetë rreth 3000 persona, ndërsa efektet financiare të tij arrijnë rreth 25 milionë lekë në muaj ose 300 milionë lekë në vit.
Në seancën e djeshme parlamentare u diskutua edhe projektligji "Për autoritetin rrugor shqiptar". Deputetët e mazhorancës deklaruan dje se ky autoritet ridimensionon reformat në infrastrukturë dhe synon shndërrimin e Drejtorisë së Rrugëve në një ent publik.