E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kosova faktor stabiliteti në rajon

Kryeministri Sali Berisha në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi shtetin e Kosovës si faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon. Sipas tij, në Kosovë po vendosen standarde që vendet e tjera do t'i kenë zili, si për shembull ai i respektimit të pakicave. "Ky është roli i madh i Kosovës për paqe dhe stabilitet në rajon", tha Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare tha se Kosova është njohur nga 62 vende të botës, është anëtare e FMN-së dhe BB-së, ndaj ekonomia e saj mund të quhet një ekonomi dinamike.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha vlerësoi rolin dhe kontributin e Hashim Thaçit në çlirimin dhe më pas shpalljen e pavarësisë së Kosovës. "Por edhe në udhëheqjen e Kosovës në një nga periudhat më historike për Kosovën", tha Berisha. Sipas kreut të qeverisë shqiptare në 20 muaj Kosova ka mund të realizojë arritjet më të mëdha kombëtare dhe nndërkombëtare më shumë se çdo vend tjetër.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i prekur thellë për vizitën e kreut të qeverisë shqiptare Berisha në Kosovë. "Ndihem i prekur sepse takoj Berishën në një moment që Kosova është e pavarur, dhe me vizion të qartë për integrim në NATO dhe BE. Vizita e Berishës është vizita e parë në Kosovën e pavarur, ndaj mirësekeradhur në Kosovën e pavarur zoti Berisha", tha Thaçi.
Duke vlerësuar Berishën si arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri dhe realizuesin e projektit të ëndravve Durrës- Morinë, kryeministri kosovar tha se Kosova shumë shpejt do të bëjë të mundur përfundimin e autorstradës.
Thaçi falenderoi Berishën dhe qeverinë shqiptare në mbështetjen për forcimin e qeverisë së Kosovës.
Kreu i qeverisë kosovare tha se tashmë shteti i Kosovës po konsolidohet. "Ndaj mund të themi publikisht se raportet Kosovë-Shqipëri janë vëllazërore. Bashkëpunimi i shkëlqyer po thellohet në vazhdimësi, këtë e demostron edhe nënshkrimi i 6 marrëveshjeve ditën e sotme", tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›