Berisha: Krenar që Kamza, Kashari e Paskuqani, në 10 bashkitë më të mëdha në vend
Kryeministri nuk flet për rënien e numrit të shqiptarëve, që nuk zgjedhin parajsën e tij për të jetuar, por lavdëron rritjen e getove rreth Tiranës
Kryeministri Berisha është dukur shumë entuziast me të dhënat e dala pas regjistrimit të popullsisë. Berisha ka qenë entuziast veçanërisht me faktin se, sipas tij, bashkia e Kamzës dhe komunat e Kasharit dhe Paskuqanit janë në 10 më të mëdhatë në vend, duke lënë prapa bashki si ajo e Lushnjës, Gjirokastrës, Kukësit e tj. Edhe pse këto bashki e komuna kanë probleme të mëdha, për Berishën e rëndësishme është që ato janë rritur në numër.
Censusi ishte një proces i suksesshëm dhe të dhënat e tij janë domethënëse dhe të rëndësishëm. Për herë të parë popullata urbane ka tejkaluar atë rurale. Lëvizja e urbanizimit gjatë këtyre viteve është oguri më i mbarë për të ardhmen e kombit. Unë u gëzova shumë kur pashë rezultatin e këtij regjistrimi, që tregon se pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë në zona urbane. Ky është zhvillimi më i madh kombëtar në rrafshin social.
Ky regjistrim tregoi edhe rritjen e qyteteve. A e dini se Bashkia e Kamzës, pas këtij censusi renditet e gjashtë për frymë popullate? Para saj janë vetëm Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora dhe Elbasani.
Censusi tregoi edhe sa shtëpi janë ndërtuar. Në 10 vjet, censusi tregon se shqiptarët kanë ndërtuar 40% më shumë shtëpi. Kjo është e jashtëzakonshme. Pasioni i shqiptarëve për të pasur një shtëpi është një nga pasionet më të bukura të tyre.
Lindshmëria ka pësuar një rënie të ulët, por qeveria shqiptare është e gatshme që të marrë masa nëse situata përkeqësohet, në mënyrë që të shtohet popullsia.
Vetëm 1% e popullsisë nuk është regjistruar dhe ky është një rezultat i jashtëzakonshëm, pasi shmangia është më minimalja se çdo vend tjetër.
Sot Kamza, Kashari dhe Paskuqani, së bashku me Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Vlorën, Elbasanin, Fierin dhe Korçën, janë ndër 10 bashkitë më të mëdha në vend, duke lënë pas bashki si Lushnja apo Gjirokastra.
Nuk keni qenë në Paskuqan ju kur bëja zborin unë. Atje ishin kodrat për të parë pozicionin e armikut. Kishte kodra vetëm me shkurre. Shikoni se çfarë bëri liria, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.
