Berisha: Shqipëria ka probleme me të vërtetën dhe historinë
Kryeministri Berisha, teksa ka mbajtur një fjalim për Ditën e Albanologjisë, ka thënë se gjuha shqipe është zhveshur nga ana e regjimit komunist. Berisha gjatë gjithë fjalës së tij i është referuar 100-vjetorit të Pavarësisë, duke thënë se kjo është ngjarja më e madhe dhe do të festohet në maksimum. Ai ka ripërsëritur faktin se historia shqiptare është e deformuar dhe prandaj duhet rishkruar.
Unë jam i apasionuar pas historisë, por unë nuk e mësova dot historinë, pasi ajo ka qenë e shtrembëruar. Shqipëria ka probleme me të vërtetën, pasi ajo është deformuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me gjuhën shqipe. Përpjekja për ta zhveshur gjuhën shqipe nga regjimi, ka qenë staliniste.
A ka gjë më të rëndë që shqiptarët ende nuk e dinë se kush ishte kryetar i Lidhjes së Prizrenit, se ashtu donte diktatura. Prandaj dhe ju keni një detyrë shumë të rëndësishme, pasi duhet të rishkruani historinë në bazë të së vërtetës, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.