E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kur isha President zbatoja ligjin, s’mbaja karrige për parti

Berisha për Topin: “Zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrimi i tij është i përcaktuar në Kushtetutë. A kthehet ajo karrige në parti të madhe apo të vogël? Ajo karrige nuk është as për parti të madhe dhe as për parti të vogël. Ajo është për Presidentin e Republikës, të cilit Kushtetuta i thotë se do të mbash këto qëndrime”

TIRANË Në analizën vjetore të punës së qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se viti 2011 ishte një vit i mbarë dhe me arritje. Për më shumë se një orë, Berisha ka folur për ato që ai i ka cilësuar arritje, duke renditur rritjen ekonomike, zhvillimet në infrastrukturë, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet e fundit lokale dhe censusin e fundit të realizuar nga INSTAT. Kryeministri Berisha i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve, që kryesisht ishin të fokusuara tek akuzat adresuar presidentit aktual Bamir Topi si dhe te mënyra që Berisha ndjek për të përcjellë mesazhet e tij te qytetarët.

Presidenca

Pak ditë më parë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se Presidenca është kthyer në një partiçkë të vogël. Por i pyetur nëse, me zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm nga mazhoranca, do të ekzistonte rreziku i kthimit të këtij institucioni në një parti të madhe, Berisha u përgjigj: “Kam deklaruar se do të zbatohet Kushtetuta. Kushtetuta përcakton qartësisht se cili është statusi kushtetues i Presidentit, cili është mekanizmi i zgjedhjes së Presidentit. Çdo koment, jashtë kuadrit kushtetues, është absolutisht jo produktiv... Zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrimi i tij është i përcaktuar në Kushtetutë. A kthehet ajo karrige në parti të madhe apo të vogël? Ajo karrige nuk është as për parti të madhe dhe as për parti të vogël. Ajo është për Presidentin e Republikës, të cilit Kushtetuta i thotë se do të mbash këto qëndrime”. Berisha iu referua punës së tij si ish-President, vetëm pas një viti karriere politike: “Unë kisha një libër në tryezën time dhe në këtë libër ishin ligjet kushtetuese të vendit. Ato nuk mund të cenohen as në frymë e as në germë. Ky është i gjithë problemi. Ato shënojnë, regjistrojnë konsensusin më të gjerë, kontratën e qytetarëve me shtetin. Ndaj unë i qëndroj Kushtetutës. Çdo person duhet të qëndrojë në përputhje me Kushtetutën. Unë jam Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe kam një ligj mbi të cilin funksionoj, krahas prerogativave kushtetuese. Unë jam i detyruar çdo ditë t’i respektoj”.

Arritjet e qeverisë

Për kryeministrin Berisha dy ishin arritjet kryesore për vitin që po lëmë pas; zgjedhjet e 8 Majit dhe regjistrimi i popullsisë dhe banesave. “Këto ishin zgjedhjet e 8 Majit. Zgjedhje, ku, pavarësisht nga përpjekjet, nga zhurma e nga qëndrime kundërthënëse, ngadhënjeu rendi kushtetues i këtij vendi dhe e drejta kushtetuese e qytetarëve shqiptarë për të votuar, numëruar e vlerësuar votat e tyre. E vërteta është se në këto zgjedhje institucionet kushtetuese të vendit kaluan një nga testet më serioze për çdo vend demokratik, për shkak të ngushtësisë së garës”, - tha Berisha, duke folur më pas për censusin. “Rezultatet e para janë historike. Ato faktuan se ky vend po ecën me shpejtësi drejt horizontit të vendit të zhvilluar. Ato faktuan se shqiptarët, në këto 10 vite, ia kanë dalë të ndërtojnë shtëpi për veten e tyre, më shumë se të gjitha kombet e tjera, në 20 vite të marra së bashkua; më shumë se 98 për qind e kombeve të tjera në 38 vite të marra së bashku dhe se në banesa, që është pasuri themelore, ata lënë mbrapa jo një, por minimalisht 3 vende anëtare të OECD-së dhe të Bashkimit Europian. Shqiptarët, të cilët në vitin 2001 kishin gjithsej 255 banesa për njëmijë banorë, sot kanë 380 banesa për njëmijë banorë”, tha ai. Pavarësisht një viti të vështirë, kryeministri Berisha tha se Shqipëria ka pasur rritje edhe në fushën ekonomike. “Të ardhurat dhe shpenzimet kanë pasur realizimin më të përpiktë, në kohë tronditjesh të mëdha, në kohë dështimi reformash... Në Shqipëri, viti mbyllet me një deficit buxhetor 3.5 për qind, ndër më të ulëtit në Europë, si dhe me një borxh jo mbi 60 për qind dhe, siç do shprehej FMN, borxhi i shërbyer me koston më të ulët se çdo vend tjetër. Sot, kostoja e shërbimit të borxhit është bërë lugati i vërtetë i kësaj krize. Është kostoja e borxheve ajo që përbën problemin më madhor. Ndërsa borxhi i Shqipërisë shërbehet me koston më të ulët. Kjo, natyrisht, ka lidhje direkte me ekipin që trajton borxhin me përgjegjësinë më të lartë, por ka lidhje direkte edhe me kredibilitetin e padiskutueshëm të ekonomisë shqiptare, të rikonfirmuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar...”, - tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›