E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Serbi, negociata për uljen e tarifave

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, dy shtetet janë në proces bisedimi në Vjenë për uljen e tarifave që shkojnë deri në 100 euro

Përfaqësues të kompanive të sigurimeve nga Kosova dhe Serbia janë takuar në Vjenë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për të diskutuar rreth tarifave të larta që qytetarët janë të detyruar t’i paguajnë me rastin e kalimit të kufijve nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Kryenegociatorja Edita Tahiri thotë për radion “Evropa e Lirë” se tarifat e sigurimeve për lëvizjen e lirë do të jenë më të lira dhe se procedurat do të lehtësohen. “Bisedimet kanë filluar. javën e kaluar, kompanitë apo byrotë e kompanive të sigurimeve të Kosovës dhe Serbisë, së bashku me palën e tretë, BE-në, janë takuar në Vjenë pikërisht për këtë çështje, për të diskutuar arritjen e një marrëveshjeje komerciale, e cila në fakt do të ndjekë modelin që ka Kosova me Shqipërinë dhe me Maqedoninë. Unë jam e bindur se një marrëveshje e tillë do të jetë shumë shpejt, pasi edhe pala serbe ka dhënë sinjale gatishmërie për këtë zgjidhje”, - thekson Tahiri. Sipas saj, Qeveria e Kosovës që në fillim nuk ka qenë dakord për këto tarifa kaq të larta, pasi “një gjë e tillë e vështirëson lirinë e lëvizjes”. “Ne kemi kërkuar tarifa shumë më të përshtatshme për qytetarët, por kjo ka qenë kërkesë e palës serbe. Në emër të arritjes së marrëveshjes, ne i kemi dhënë radhë kësaj zgjidhjeje, por kjo është vetëm e përkohshme”. Pavarësisht çmimit të lartë për kalimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, autoritetet e rendit dhe zyrtarët e Doganës së Kosovës thonë se një ditë pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë vërehet një interesim i madh i qytetarëve, si kosovarë, ashtu dhe serbë, për të kaluar kufirin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›