Berisha: Kur isha në Afganistan, shkova tek vendi ku u vra Feti Vogli, në zonën më të rrezikshme në planet
Kryeministri Berisha bëri një vizitë edhe në familjen e kapiten Feti Voglit, Dëshmor i Atdheut, i cili humbi jetën vetëm pak kohë më parë në Afganistan, në kuadër të Ditës së Dëshmorëve.
Erdha këtu për të nderuar, së bashku me prindërit e familjarët, kapiten Feti Voglin, Dëshmorin më të ri të Kombit shqiptar, i cili ra në fushë betejën më të rrezikshme që ekziston sot në planet, ra për lirinë për vlerat e saj, për paqen dhe sigurinë. I solla familjes ngushëllimet e të gjithë bashkëluftëtarëve të Fetiut, komandantëve të të gjitha niveleve. Por, gjatë vizitës sime së fundi në Uashington, ngushëllime prekëse më shprehu edhe Sekretarja e Shtetit Hilary Clinton. Në udhëtimin tim në Afganistan unë shkova edhe në Spin Buldok, në Kandahar, i kërkova pilotit që të fluturonte mbi fshatin ku kapiten Feti Vogli kishte rënë. Atje gjeta një njësi ushtarake të shkëlqyer, e cila ka kryer dhe kryen çdo ditë dhe çdo natë operacione nga më të rëndësishmet dhe më të suksesshmet. Natyrisht, Feti Vogli u qëllua pas shpine, në pabesi të plotë, por kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Si bashkëluftëtarët e tij, ashtu edhe komandantët e të gjitha nivele, u shprehën me superlativa për kapiten Feti Vogli, rënien e tij heroike në zonën më të rrezikshme që ekziston në planet, zonë që, për sa i përket sigurisë, vendoset në kufirin midis Afganistanit dhe Pakistanit, tha Berisha.