E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kush merret me ministrin Lulzim Basha, ka punë me mua

Sipas kryeministrit, vendimet për rrugën u morën nga Këshilli i Ministrave. Berisha ia faturon publikisht qeverisë përgjegjësitë për “Rrëshen-Kalimash”

Habjon Hasani
Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka marrë përsipër dje përgjegjësinë për të gjitha vendimet dhe aktet ligjore zyrtare që u ndërmorën për ndërtimin e rrugës “Rrëshen-Kalimash”. Berisha, nëpërmjet zëdhënëses së tij Juela Meçani, deklaroi se të gjitha vendimet janë përgjegjësi e Këshillit të Ministrave, duke i pjesëtuar me 15 (14 ministra plus kryeministri) të gjitha përgjegjësitë. Në këtë mënyrë kryeministri duket se ka pohuar për të parën herë publikisht se pas të gjitha propozimeve dhe vendimeve të firmosura nga Lulzim Basha (të cilat Prokuroria i gjeti të jashtëligjshme), në të vërtetë qëndronte Këshilli i Ministrave, pra vetë Berisha. “Kryeministri dhe qeveria informojnë qytetarët shqiptarë se çdo akt ligjor apo vendim që lidhet me ndërtimin e korridorit rrugor “Durrës-Kukës-Morinë” është vetëm vendim i Këshillit të Ministrave dhe jo i ndonjë ministri apo zyrtari të veçantë”, - shprehet kreu i qeverisë në deklaratën e tij.
Përgjegjësia
Me një deklaratë të papritur për shtyp kreu i Ekzekutivit ka sqaruar se ai personalisht ka imponuar vullnetin e tij politik mbi gjithë kabinetin qeveritar për ndërtimin e këtij korridori. Por, në ndryshim nga sa pretendon zyrtarisht Prokuroria, për kryeministrin të gjitha vendimet përputhen plotësisht me ligjet e vendit dhe sipas Berishës, nuk ka kurrfarë shkelje në këto vendime apo procedura. “Ministri Basha, në detyrën e ministrit të Punëve Publike, ka zbatuar me transparencë të plotë, me përgjegjshmëri të lartë dhe përkushtim të madh vullnetin politik të kryeministrit, qeverisë dhe maxhorancës për ndërtimin e rrugës ‘Durrës-Kukës-Morinë’, si dhe të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave për korridorin shqiptar, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet e vendit”, - shkruhej në deklaratë. Në këtë mënyrë Berisha reagon publikisht për të parën herë pas përplasjeve të bujshme mes ministrit të pandehur Lulzim Basha dhe Prokurorisë, duke i dhënë publikisht mbështetje maksimale ministrit të tij, madje duke e zhveshur fare Bashën nga përgjegjësitë, e duke ia faturuar të gjitha përgjegjësitë për ndërtimin e rrugëve ekipit qeveritar.
Retorika
Nga podiumi i foltores së Kryeministrisë, zëdhënësja e Berishës ka përcjellë mesazhin e fortë të kryeministrit, i cili, ashtu sikur Basha tri ditë më parë, i klasifikoi si farsë dhe akuza politike të armiqve të rrugës më të rëndësishme të korridorit proshqiptar. “Këto ditë ministri Basha po përballet me një farsë akuzash politike të armiqve dhe kundërshtarëve të korridorit shqiptar, të cilët shohin fundin e tyre të pashmangshëm politik brenda pak muajve që na ndajnë nga përurimi i veprës së shekullit për shqiptarët”, - theksohet në deklaratën e Berishës. Më tej kryeministri nuk ka harruar të përmendë faktin se ministri i Punëve të Jashtme i qeverisë shqiptare, zoti Lulzim Basha, gëzon mbështetje të plotë dhe vlerësimin më të madh të kryeministrit të vendit, të qeverisë dhe maxhorancës qeverisëse, për punën e tij në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për kontributin e dhënë në bashkëpunimin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në institucionet europiane dhe euroatlantike.

Kryeministri premton përurimin pas shtatë muajsh

Për herë të parë kryeministri shqiptar Sali Berisha ka artikuluar një afat final për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”. Gjatë deklaratës së djeshme Berisha ka premtuar përurimin e kësaj rruge pikërisht në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Shqipëria është dhe do të mbetet vendi i shtetit ligjor. Korridori shqiptar do të përurohet në qershor 2009”, - ka deklaruar dje kryeministri nëpërmjet zëdhënëses së tij. Madje për qeverinë shqiptare kjo vepër është një ndër shërbimet më të mëdha që i është bërë kombit shqiptar. Por, sipas qeverisë, procesi ligjor që ka nisur për hetimin e abuzimeve dhe abuzuesve të kësaj rruge ngelet një farsë e organizuar nga kundërshtarët e “projektit të shekullit”, që sipas qeverisë, nuk janë gjë tjetër veçse njerëzit që për tetë vite e bllokuan ndërtimin e saj. “Kryeministri dhe qeveria shqiptare, duke shprehur vlerësimin dhe krenarinë e saj për projektin e shekullit, që armiqtë dhe kundërshtarët e tij e bllokuan për 8 vite me radhë, garanton qytetarët shqiptarë se ajo ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar dhe tërësisht e hapur e transparente ndaj tyre, ndaj ligjit dhe institucioneve të këtij vendi, në çdo akt, vendim dhe veprim të saj”, - theksohet në deklaratë.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›