E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimi i prokurorëve, qeveria falsifikoi vendimet për rrugën



Dje, për herë të parë kryeministri pranoi publikisht përgjegjësitë e tij dhe të kabinetit qeveritar për të gjitha vendimet për ndërtimin e rrugës “Rrëshen-Kalimash”. Por, nëse kthehemi në retrospektivën e hetimit të çështjes nga prokurorët, rezulton se këta të fundit i kërkuan qeverisë transkriptimet e mbledhjeve gjatë të cilave u morën këto vendime. Këto transkriptime u kërkuan jo vetëm për t’u njohur me qëndrimet e secilit ministër, por edhe për të zbardhur një “përplasje” të habitshme datash, që matematikisht vërtetonte se një prej vendimeve të qeverisë ishte matematikisht i falsifikuar ose i marrë pa pyetur APP-në për prokurimin e firmës konsulente “Ecorys”, e cila bëri më vonë dhe përzgjedhjen e firmës që do ndërtonte rrugën. Këshilli i Ministrave, në datën 10 korrik 2006, vendosi në mënyrë përfundimtare që firma "Ecorys" të ishte konsulentja ndërkombëtare që do organizonte konkursin. Por në dokumentet e mbledhura nga prokurorët rezulton se APP-ja ka kthyer përgjigje vetëm 2 ditë pas vendimit të qeverisë. "Me shkresën me numër protokolli 10336, datë 12.07.2006, APP sqaron për të dytën herë MPPTT-në se ‘në shqyrtim të shkresës suaj me nr. 7262 protokolli, datë 11.07.2006, me objekt 'Plotësim dokumentacioni në lidhje me projektvendimin për mendim të sjellë nga ana juaj për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të përdore procedurën 'Prokurim i drejtpërdrejtë’ me konsorciumin ‘Ecorys’ për shërbim konsulence në përgatitjen e termave të prokurimit, konkurrimit ndërkombëtar...’", - shkruhet në dosjen e Prokurorisë. Pra, nga sa më sipër, kuptohet se në datën 12 korrik (2 ditë pas vendimit të qeverisë), APP-ja i kthen përgjigje ministrit Basha, pasi ky i fundit i ka kërkuar zyrtarisht mendim në datën 11 korrik (1 ditë pas vendimit të qeverisë). Në fakt, procedura zyrtare imponon që qeveria ta marrë vendimin vetëm pasi është marrë drita jeshile më parë në institucionet e varësisë si APP-ja. Kësisoj, logjikisht del se ose qeveria e ka marrë këtë vendim pa pyetur APP-në, ose qeveria e ka marrë këtë vendim më vonë, duke i vendosur një datë të falsifikuar.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›