E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kutitë nuk hapen. Nuk dal mbi vendimin e Gjykatës

Kryeministri Berisha tha se protesta e sotme e opozitës është normale. Por, sipas tij, Rama po kërkon të pengojë proceset integruese të vendit për në BE


TIRANË- Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se kreu i opozitës, Edi Rama, po kërkon të pengojë proceset integruese të vendit për në Bashkimin Evropian. Duke iu referuar protestës që do të mbahet sot nga Partia Socialiste, për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të Qershorit, Berisha theksoi se rruga e protestës që po ndjek opozita është normale.


Por, sipas tij, qëndrimi i opozitës jashtë Parlamentit dhe përpjekja për t'i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk e meriton liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në BE është e pandershme. "Për fat të keq, një grup në krye të Partisë Socialiste, i drejtuar nga Edi Rama, kanë zgjedhur rrugën e protestës.


Kjo është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për t'i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit; përpjekja për t'i dëshmuar Evropës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave; se Shqipëria nuk meriton statusin e vendit kandidat, sepse unë jam në rrugë dhe jo në Parlament, është jashtëzakonisht e pandershme", - tha dje Berisha.


Gjatë inaugurimit të ujësjellësit në zonën e Vorës, Kryeministri Berisha vuri në dukje se lideri i opozitës e mori përgjigjen nga qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 28 Qershorit dhe nga vendimi i 27 vendeve të Bashkimit Evropian për shqyrtimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, si dhe për shpejtimin e procedurave për liberalizmin e vizave.


"Përgjigjen nuk ta dha Sali Berisha, por e more nga qytetarët shqiptarë, të cilët votuan me dinjitetin më të madh më 28 qershor. Përgjigjen e more nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira, i hapën dyert Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.


Përgjigjen ta dhanë 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbi bazën e vlerësimit të përpjekjeve të ndershme dhe serioze të shqiptarëve vendosën që të procedohet me shpejtësi për heqjen e vizave për shqiptarët",- u shpreh Berisha.


Lideri i mazhorancës, duke iu referuar protestave të opozitës, shtoi se zgjedhjet e 28 Qershorit, bënë të mundur që vendet e Bashkimit Evropian të marrin vendimin për statusin e vendit kandidat, si dhe shpejtimin e procedurave për heqjen e regjimit të vizave.


Po dje, Kryeministri Berisha i është kundërpërgjigjur në Parlament akuzave të opozitës, duke thënë se lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, po shpif ndaj tij. Berisha shprehu, gjithashtu, edhe qëndrimin e mazhorancës ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive.


Duke iu drejtuar kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili i kërkoi Berishës që të zgjidhë krizën politike, Kryeministri deklaroi se ai është i gatshëm për kompromis me Ramën, por nuk mund të plotësojë kërkesën e tij themelore.


Kërkesa që ka të bëjë me hapjen e kutive të votimit, sipas Berishës, bie në kundërshtim me vendimet që kanë dhënë gjykatat për zgjedhjet e Qershorit. "Zoti Dule, i thuaj kryetarit të opozitës, i cili shpif gjithë kohës ndaj meje, se me asnjë forcë në botë nuk do të mund të nxish verdiktin e Bashkimit Evropian.


Unë jam gati për kompromis, por atë që kërkon ai nuk e bëj. Unë nuk mund të dal mbi vendimin e gjykatës. Ky vend funksionon mbi bazën e ligjeve demokratike",- pohoi dje Berisha.


Në këtë kontekst ai i bëri thirrje, liderit të opozitës që të kthehet në Kuvend në mënyrë që të realizohen proceset integruese të vendit, veçanërisht për liberalizimin e vizave.


"Zoti Rama, vendi yt është në Parlament, në mbështetje të lëvizjes së lirë",- shtoi kreu i ekzekutivit. Por, opozita deri më tani nuk lëshon pe nga qëndrimi i saj, duke deklaruar se do të jetë në Parlament vetëm kur të hapen kutitë e votimit dhe të bëhet transparenca e zgjedhjeve të 28 Qershorit.

*********************************

Kryetari i PBDNJ-së tha se partitë duhet të arrijnë një kompromis

Dule - Berishës: Zgjidh krizën politike

TIRANË- Kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i kërkoi dje në Kuvend Kryeministrit Berisha që të zgjidhë krizën politike që është krijuar në vend. Lideri i PBDNJ-së i bëri thirrje kreut të mazhorancës se tani është momenti që të ndërmarrë iniciativa që të nxjerrë vendin nga kriza politike, edhe pse këto iniciativa mund të bien ndesh me interesat e tij politike.


Sipas tij, arritja e një kompromisi është e mundshme. "Është momenti, zoti kryeministër, të ndërmerrni iniciativa të guximshme. Merrni iniciativa që mund të jenë edhe në dëmin e interesave tuaja politike.


Merrni iniciativa të tilla që do të fusin vendin në rrugën e reformave të kompromisit, pavarësisht kostos që mund të ketë", - tha dje Dule. Duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha, Dule theksoi se nëse nuk arrihet ky kompromis midis palëve politike atëherë zgjidhja e vetme është fjala e sovranit.


"Nëse kjo nuk është rruga, atëherë ka një rrugë tjetër. Ka një zgjidhje tjetër; drejtohuni sovranit të popullit. Zgjidhjet janë të pranishme mjafton që t'i kërkojmë ato me vullnetin politik", - u shpreh kreu i PBDNJ-së.


Dule vuri në dukje, gjithashtu, se mungesa e opozitës në Kuvend dhe sjellja e mazhorancës nga ana tjetër e ka futur Kuvendin në një moment delikat, duke mos miratuar projektligje me rëndësi për kryerjen e reformave.


"Parlamenti ndodhet në një moment për të kaluar projektligje për reformat që duhet të ndërmarrë vendi. Ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar hyjnë dhe dalin nga axhenda me shpresë të pjesëmarrjes së opozitës. Të gjitha këto shtojnë për ditë dhe më tepër një kosto", - nënvizoi Dule.


Për këtë arsye, sipas tij, forcat politike duhet të lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre aktuale dhe të arrijnë në një kompromis të pranueshëm për të bërë të mundur realizimin e reformave në vend.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›