Berisha: Ky është kabineti më i korruptuar i instaluar ndonjë herë në Shqipëri
Kryeministri Berisha komentoi në rrjetin social Facebook takimin e mbajtur mes kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama dhe disa prej ministrave të kabinetit të tij. Në shkrimin e tij, Berisha rendit një sërë akuzash për disa prej ministrave të qeverisë Rama . Ditë e shënuar në historinë e Kleptokracisë! Të dashur miq, sot(dje) Piktori mblodhi në zyrën e tij kabinetin e vet qeveritar që është dhe ekipi më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë në Shqipëri. Vet Piktori, përveç aferave si ish ministër i qeverisë Nano dhe Kryetar 20% i bashkisë së Tiranës, është i vetmi kryeministër këto 20 vite në Evropë që ulet në karrigen e kryeministrit me një vilë dhe një pallat 5 katësh me burim financiar të panjohur. Ministri i Financave Cani është guvernatori që pasi vodhi apo bashkëvodhi Thesarin e Shtetit dhe pas zhdukjes së tij deklaroi se Banka nuk ka patur në Thesar flori. Ministrit të Shëndetësisë, Beqja është i vetmi që iu hoq mandati i deputetit sepse me baxhanakun e Piktorit kishte bërë kërdinë me tendera në bashki. Ai ka falsifikuar mijëra e mijëra pensione për të cilat po ndiqet. Ministri i Brendshëm Tahiri është i vetmi deputet me skaf dhe që iu arrestua i ati në flagrancë për kontrabande ilaçesh dhe e ëma ndiqet për evazion fiskal në shumën 80 mijë euro. Ministri i Ekonomisë Ahmetaj është në ndjekje për vjedhjen prej 10 milion euro që i ka bërë kompanisë Albtelekom me kompaninë e tij private Hermes. Ministri i Mirëqenies Sociale, më mire të themi i mirëqenies personale, Erion Veliaj është bërë i famshëm si njeriu që me paratë e Mjaftit ndërtoi një vilë për vete dhe një vilë për Velicen pa firmosur në jetën e tyre ndonjëherë në bordero. Ai më pas për të zhdukur gjurmët e kësaj afere vodhi vet kompjuterin e financave të Mjaftit. Këto ishin vetëm disa nga aferat e disa prej anëtareve të “ansamblit lukunia”! Këtij i thonë ndryshim! Përpara drejt Kleptokracisë!, shkruan kryeministri në rrjetin social Facebook.