Berisha: Legalizimi falas, mashtrim i madh i piktorit dështak

“Legalizimi falas, mashtrimi tjetër i madh i piktorit dështak”, kështu shprehet Kryeministri Sali Berisha në qëndrimin e tij të radhës, kundër kryesocialistit Edi Rama.
Në një koment në profilin e tij në Facebook, ai vijon më tej duke thënë se premtimi i bujshëm i “piktorit” për legalizimin falas është dhe mashtrimi tjetër i madh i tij, shkruan noa.
“Kështu pasi për një muaj me radhë hoqi nga fjalori i tij fjalën legalizim, ai dje njoftoi se këtë 4 vjeçar do bëjë vetëm inventarizim si të banesave ashtu dhe të frymorëve, të cilëve u premtoi dhjetëra herë gjatë fushatës elektorale legalizimin falas të banesave dhe tokës. Kësaj i thonë: O’ burra ju gënjeva për legalizimin falas se më duhej vota juaj. Unë jam Edi Rama, prapa më vjen gënjeshtra”, përmbyll qëndrimin e tij lideri i dorëhequr i demokratëve.
Më herët në një tjetër koment të tij ai e akuzoi Kryeministrin e ardhshëm se dëshmon vrerë dhe injorancë lidhur me financat./Indeksonline/