E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Legjitimitetin e qeverisë e përcakton sovrani

Pas ndalesës në Krumë, kryeministri Sali Berisha inspektoi punimet në rrugën Kukës - Dibër e gjatë 70 kilometra dhe me vlerë 10 milion dollarë. Kreu i ekzekutivit e konsideroi këtë aks shumë të rëndësishëm për banorët e zonës dhe lidhjen e saj me unazën rrugore verilindore të vendit.
“Kjo rrugë është një nga segmentet më të rëndësishme të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, në të cilën punohet në të gjitha drejtimet, nga Tropoja drejt Kamit dhe sapo të përfundojë projekti Kam – Golaj, do të fillojnë edhe aty punimet. Po punohet edhe në segmentin Krumë-Kukës dhe Kukës-Peshkopi. Së shpejti fillon segmenti tjetër, për të lidhur Peshkopinë me Librazhdin. Nga ana e Librazhdit, kjo rrugë ka ecur mjaft mirë, është arritur në Stërbleva dhe po shkohet më tutje. Kjo rrugë, që fillimisht dukej mjaft e largët, faktikisht po bëhet një realitet shumë shpejt.”
Kryeministri tha se qeveria që drejton do të bëjë çdo përpjekje për të luftuar varfërinë, duke zbatuar poltika që do të rrisin ndjeshëm punësimin edhe në zonat e thella.
“Këto janë zona shumë të bukura, të cilat do të marrin një gjallëri të paparë me fillimin punimeve të hidrocentralit të Skavicës. Siç e shihni, ka një perspektivë reale punësimi dhe të ndërtimit më të mirë të jetës dhe të daljes nga varfëria. Qeveria ime e ka kapur dhe do ta kapë me përparësinë më të madhe luftën kundër varfërisë. Ne kemi lëvizur fuqishëm me pagat e pensionet, por tani do të lëvizim fuqishëm me zonat e varfra, për t’i ndihmuar banorët e tyre për një jetë më normale. Ky është zotimi ynë.”
Në Krumë, Berisha komentoi dhe deklatat e Ramës mbi procesin zgjedhor. Kryeministri i cilësoi marrëzi politike e që gjithesesi s’mund të zhbëjnë verdiktin e sovranit.
“Dua të shpreh realisht një keqardhje se, pavarësisht se ai është një kundërshtar, por, kur e dëgjoj t’u thotë shqiptarëve çdo ditë marrëzira të padëgjuara në 20 vitet e fundit, nuk mund të mos ndjesh në rrafshin njerëzor dhimbje. Një ditë u deklaroi se TEC-et me qymyr nuk ndërtohen më në Europë, në një kohë kur, në fakt, kriza energjetike i ka rikthyer ato më fuqishëm se ndonjëherë. Ditën tjetër, ne miratuam detyrën e studimit të zonës Kashar-Vorë-Prezë dhe ai doli dhe u tha shqiptarëve se Tirana është 2800 hektarë, ndërsa në KRRTRSH u miratuan ndërtime për 3500 hektarë. Unë do të isha shumë i lumtur, në rast se do të ndërtohej një qytet i madh me 3500 hektarë, por e vërteta është se ky është një problem i largët, jo i afërt. Dje doli e deklaroi se nuk do të njohë legjitimitetin qeverisë, prapë një marrëzi. Nuk është ai që përcakton legjitimitetin e qeverisë, por atë e përcakton sovrani, i cili i rezervoi atij banesën e humbjes, i dha humbjen. Tani po të dojë, të bëjë Hamletin çdo ditë në monologun e tij, ne do të ecin drejt Shqipërisë europiane.”
Më herët kryeministri Sali Berisha inaguroi fillimin e punimeve të rrugës që lidh Shishtavecin me Kukësin e gjatë 24 kilometra dhe me vlerë 4 miliard lekë. Sipas kreut të qeverisë kjo rrugë është shumë e rëndësishme për të gjithë zonën si për nga zhvillimi i turizmit ashtu edhe për zhvillimin e bujqësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›