E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Letra e OMONIA, klithmë ekstremistësh

Nga Tedi Blushi
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha reagon pas publikimit të memorandumit nga “Gazeta Shqiptare”: “Qeveria greke nuk duhet të ndikohet, nga klithma ekstremiste ngado që t’i shkojnë ato.” 

TIRANE- Qeveria shqiptare reagon me ashpërsi ndaj kërkesës së OMONIA-s drejtuar Parlamentit grek për mosratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në rast se Tirana zyrtare nuk njeh autonominë e Vorio-Epirit. Presionin e ushtruar ndaj Athinës zyrtare nga organizata e minoritetit grek e ka dënuar vetë Kryeministri Sali Berisha, gjatë një konference të djeshme për shtyp. Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit e cilësoi memorandumin e OMONIA-s, si “klithmë ekstremistësh”, ndërsa ftoi qeverinë greke të mos ndikohet prej saj. Reagimi i Berishës vjen dy ditë pasi “Gazeta Shqiptare” botoi të plotë tekstin e memorandumit që organizata e minoritetit grek, e drejtuar nga Vasil Bollano, i ka dërguar zyrtarisht shtetit fqinj. “Qeveria greke ka një dialog konstant me qeverinë shqiptare dhe qeveria greke nuk ndikohet nga klithma ekstremiste ngado që t’i shkojnë ato. Qeveria greke është një qeveri demokratike, një qeveri që punon dhe ka faktuar se punon për marrëdhënie miqësore dhe normale me Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit”, - deklaroi mes të tjerash Kryeministri. I fokusuar mandej tek çështja e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të minoritetit grek, Berisha tha se Shqipëria ka marrë më shumë masa se çdo vend tjetër i rajonit për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Ndonëse, shtoi mandej, se gjithsesi ka ende vend për përmirësime. “Ky ka qenë komuniteti i shtypur në mënyrën më të egër nga diktatura. Të drejtat e minoritetit kanë pasur një përmirësim madhor dhe Shqipëria ka marrë shumë vendime të cilat nuk janë marrë as nga vende të tjera të rajonit. Në këtë drejtim, pranoj se megjithatë ende ka vend për përmirësime”, - vuri në dukje Berisha, që në këtë mënyrë u ka dhënë një përgjigje edhe pakënaqësive të shprehura nga OMONIA lidhur me çështjen e lirisë e të drejtave të minoritetit në vendin tonë. Greqia është vendi i fundit i anëtarëve të Bashkimit Europian që nuk ka ratifikuar ende MSA-në. Athina zyrtare e ka argumentuar vonesën në ratifikimin e dokumentit me procedurat burokratike, duke mohuar që të ketë shkaqe të tjera.
Ndjekje penale
Në një prononcim të dy ditëve më parë për GSH, deputeti i pavarur, Spartak Ngjela kërkoi ndjekje penale për kreun e organizatës së minoritetit grek, Vasil Bollano. Sipas avokatit, kjo është përgjigja që meriton Bollano, pas memorandumit që OMONIA i drejtoi Parlamentit grek për mosratifikimin e MSA-së. Por në këtë kontekst, Ngjela shtoi se më shumë se sa tek Bollano, problemi qëndron tek Kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, sipas tij, nuk duhet t’i bëjë sehir këto provokime, por duhet ta shkarkojë atë nga posti i kreut të Bashkisë së Himarës.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›