Çelet konkursi i 10 personaliteteve të vitit
TIRANE- Ditën e djeshme nisi konkursi për "10 Personalitetet e Vitit" 2008. Edhe këtë herë, ashtu si një vit më parë, personalitetet do të përzgjidhen nga vetë kryeqytetasit me anë të postës së thjeshtë dhe asaj elektronike. Duke filluar nga data 10 dhjetor, pa kritere të ngurta, por me arsyetim të thjeshtë dhe njerëzor, secili ka të drejtë të propozojë dhe votojë persona të njohur apo qytetarë të thjeshtë, të cilët i kanë ofruar Tiranës veprën e tyre modeste. Ky votim do të qëndrojë i hapur deri më datë 24 dhjetor. Më pas, të dhënat e mbledhura do t'i dorëzohen një jurie prestigjioze të përbërë nga emra të njohur në fushën e artit, letrave, sportit, biznesit, sociale etj, që do të vlerësojnë propozimet dhe votimet e qytetarëve, të ardhura në ditët pararendëse. Ndërsa fituesit do të shpallen më 26 dhjetor. Në një mbrëmje festive të hapur për publikun dhe mediat, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama së bashku me të ftuar të tjerë, do të nderojnë fituesit e edicionit të dytë "10 Personalitetet e Vitit" për 2008-ën. Janë vetë qytetarët ata që propozojnë dhe votojnë "heronjtë" e përditshëm, ata që jetojnë vetëm një derë larg nesh. Pranë emrit të propozuar duhet vendosur arsyeja për të cilën është përzgjedhur dhe mund të propozohen vetëm 10 apo më pak emra. Votimi mund të bëhet nëpërmjet disa mënyrave: Postë e thjeshtë në adresën: Kabineti i Kryetarit, Bashkia e Tiranës, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit, Postë elektronike (e-mail): 10@tirana.gov.al, apo dorazi, pranë Zyrës së Informimit Qytetar.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)