E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Liberalizimi i vizave, brenda vitit të parë të legjislaturës së dytë


Kryeministri Sali Berisha ka shprehur bindjen se gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij, do të zgjidhet përfundimisht lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë. I ftuar dje në mbrëmje në një emision televiziv përballë një paneli gazetarësh, Kryeministri Berisha u ndal te prioritetet e qeverisë gjatë këtij mandati të dytë, ku konsideroi si sfidë kryesore, liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. "Unë do të bëj të gjitha përpjekjet e mundshme që të plotësojmë kushtet për liberalizimin e vizave. Vendimi nuk varet vetëm nga vendi ynë, pasi ka një vendnumëro të shumë problemeve për shkak të referendumit në Irlandë dhe unë nuk e parashikoj dot se cilat do të jenë pasojat", tha Kryeministri Berisha. "Në rast se rezultati do të jetë negativ, sigurisht që do të ketë pasoja", tha më tej ai, duke theksuar se "ajo që i mbetet për të bërë Shqipërisë është që të punojë me seriozitetin më maksimal për heqjen e vizave". I pyetur nëse do të plotësohet kushti teknik për liberalizimin e vizave, duke i pajisur 25 për qind të qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, Kreu i Ekzekutivit u shpreh se "nuk mund të humbim një prioritet të tillë për shkak të pasaportave biometrike. Nëse interesi kombëtar, lëvizja e lirë pengohet, ne do të reagojmë. Ne nuk mund të pengohemi nga pasaportat biometrike, pasi ne kemi kompaninë që i prodhon ato", sqaroi Kryeministri Berisha. Nga ana politike, Kryeministri vlerësoi se bojkoti i kushtëzuar i parlamentit nga opozita nuk është gjë tjetër "vetëm një përpjekje e Edi Ramës për të penguar procesin e liberalizimit të vizave dhe për të bërë më pas përgjegjëse për këtë gjë, qeverinë". Italia u shpreh dje e gatshme të mbështetë Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave. Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, konfirmoi dje gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces gjatë një takimi me Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian në Slloveni, ku u diskutua gjerësisht mbi çështjet e vizave dhe emigracionit klandestin.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›