E Diel, 1 Nëntor 2026

Përpjekje për të rritur tregun financiar të Kosovës, duke përfshirë fondin e kursimeve pensionale

Qeveria e Kosovës mund ta rrisë tregun financiar edhe për 400 milionë euro, pa rrezikuar stabilitetin buxhetor dhe pa dëmtuar asnjë procedurë. Për këtë duhet t’i paguajë me kohë kontraktuesit, t’ua japë punëtorëve paratë e privatizimit dhe të sjellë në Kosovë një pjesë të kursimeve pensionale

Ka shpresë që tre muajt e fundit të vitit të jenë më të frytshëm në aspektin ekonomik. Posaçërisht pasi hapet arka e shtetit dhe shumë para dalin në qarkullim. Aty mund të mbeten vetëm rezervat shtetërore, të cilat qeveria i siguroi duke tërhequr tërësisht dividendin nga Posta dhe Telekomi i Kosovës. Raportet financiare për gjendjen në gjysmën e parë të vitit nuk janë aq trimëruese. Ka rënë aktiviteti ekonomik, kreditimi është më i vogël, fitimet kanë nisur të treten, ndërsa mbesin edhe 900 milionë euro të cilat Qeveria i mbanë në depozita. Sado që ato janë 6.5 për qind më pak se para një viti, megjithatë kjo shumë e parave është jashtë qarkullimit. Së paku në Kosovë. Se gjendja nuk tregon shenja të përmirësimit vërehet nga aktiviteti bankar. Në tremujorin dytë të këtij viti janë dhënë vetëm rreth 173 milionë euro kredi, që janë 12.7 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlera e depozitave ka një rritje vjetore prej 19.7 për qind, ndërsa para një viti ishte 28.8 për qind. Madje, burim kryesor i depozitave janë ekonomitë familjare, të cilat sigurojnë 60 për qind të të gjitha parave që kanë në qarkullim bankat. Në këtë industri fitimi ka rënë 45.3 për qind, pasi që të hyrat ishin tri herë më të ulëta. Dhe, përsëri kjo ndërlidhet me rënin e kreditimit, përkatësisht me frikën e bankave se mos po rrezikojnë tepër, por edhe me rënien e aftësisë huamarrëse të ndërmarrjeve. Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta, gjatë këtij viti edhe remitancat kanë shënuar rënie prej 8-10 për qind. Për faktin se shumë gjëra kanë marrë tatëpjetën tregon edhe bilanci tregtar për shtatë muajt e këtij viti. Eksporti ka rënë 28.3 për qind, importi 2.5 për qind, ndërsa deficiti në korrik arriti në 155 milionë euro, nga 147 milionë euro sa ishte një muaj më herët. Zyrtarët në Kosovë asnjëherë nuk ia kanë dhënë krizës ekonomike e financiare përmasat reale që i ka, por shifrat e përmendura identifikojnë qartë se sa është ajo e pranishme. Nëse për shkak të funksionimit në një sistem të mbyllur bankat nuk kanë qenë në ndikim të drejtpërdrejtë të tronditjeve në tregun global, as në oazën e quajtur Kosovë ato nuk e kanë më mirë. Sigurisht se asnjëra prej tyre nuk do të pësojë, por është e qartë se e kanë reduktuar aktivitetin, frikësohen nga gjendja e përgjithshme në ekonomi dhe si rezultat edhe kamatat në kredi janë më të larta në krahasim me pak muaj më herët. Është e padrejtë nëse kërkohet që bankat komerciale ta konsolidojnë ekonominë. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e tyre. Ambientin dhe sigurinë duhet ta ndërtojë Qeveria dhe orientimi i parasë bëhet në bazë të këtyre parametrave. Edhe këtu nuk ka shumë alternativa. Mungojnë shumë ligje e institucione që do ta lejojnë mekanizmin shtetëror të futet si katalizator në tregun financiar. Qeveria e Kosovës nuk mund t’i garantojë bankat se kreditë e tyre janë të sigurta, por as depozitat e qytetarëve, apo të bizneseve. Ky raport më shumë rregullohet në bazë besimit të ndërsjellë ndërmjet depozituesve dhe bankave. Qeveria e ka një mundësi se si të ndikojë në të gjitha këto zhvillime. Duhet t’i kthejë paratë që i ka marrë prej qytetarëve dhe bizneseve. Të mos mbajë rezervë aq shumë para afër vetes. Në fakt, ato mund të trajtohen në mënyra të ndryshme, si rezerva shtetërore, mjete të alokuara e të zotuara, por në esencë ato janë të ngrira përderisa nuk dalin nga arka e shtetit. Një pjesë e madhe nga 900.6 milionë euro në fund të vitit mund të jenë teprica, ose para që Qeveria nuk ka pasur kapacitet t’ua kthejë tatimpaguesve. Nëse i kemi parasysh përvojat e mëhershme, atëherë gjatë muajve në vijim ka gjasa që buxheti të ndikojë në mënyrë më aktive në ngjalljen e ekonomisë. Sigurisht që duke filluar nga tetori do të ketë më shumë pagesa, të cilat e arrijnë maksimumin në fund të vitit. Mund të ketë edhe rritje të pagave të buxhetorëve, në një masë për shkak të premtimeve që u janë dhënë më herët, por në këtë segment nuk do të mbetet pa ndikim edhe lufta për votat në zgjedhjet për pushtetin lokal. Sidoqoftë, paratë do të dalin nga arka dhe do të reflektojnë në mënyrë të ndjeshme në likuiditetin e ndërmarrjeve, ndoshta edhe në një masë edhe për përmirësimin e standardit të jetës. Të paprekura mbesin paratë e pensionistëve dhe ato të grumbulluara nga privatizimi. Pa marrë parasysh pengesat e trashëguara rreth të drejtës për përdorimin e këtyre 700 milionë eurove, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet t’i debllokojnë ato, nëse jo tërësisht, së paku pjesërisht. Për këtë ka mundësi. Punëtorëve t’iu jepen paratë që u takojnë nga shitja e ndërmarrjeve. Madje, nëse është e nevojshme të bëjnë trysni në Odën e Veçantë, ashtu që të shkurtohen procedurat dhe afatet, por pa lënduar procesin. Për ekonominë dhe tregun në përgjithësi 700 milionë euro kanë domethënie shumë të madhe, sa janë përafërsisht kërkesat e punëtorëve. Kjo shumë është pesë herë më e madhe sa eksporti që Kosova bënë për një muaj. Në të njëjtën kohë duhet futur në qarkullim paratë e pensionistëve. Sado që për këtë flitet mjaft, është duke u zvarritur një tender për shfrytëzimin e këtyre parave. Nëse në bankat kosovare futet një e dhjeta e këtyre parave, do të thotë se potenciali i tyre kreditues rritet edhe për 30 milionë euro. Do të ishte ndihmë e madhe nëse kjo shumë bartet te ndërmarrjet, jo për ruajtjen e likuditetit të tyre, por për zhvillim dhe investime. Me një fjalë, Qeveria e Kosovës deri në fund të vitit ka mundësi që tregun financiar ta rritë edhe për 400 milionë euro, pa rrezikuar stabilitetin buxhetor dhe pa dëmtuar asnjë procedurë. Këtu nuk janë llogaritur pagat, por vetëm pagesat që do të bëhen për realizimin e investimeve, kompensimin e punëtorëve nga procesi i privatizimit dhe kthimi i një pjese të kursimeve që mbahen jashtë vendit. Për një ekonomi të vogël si ajo e Kosovës, kjo do të ishte një ndihmë shumë e madhe. Ajo është sa 10 për qind e GDP’së. Në këto përmasa nuk ka qenë as pakoja e ndihmës që SHBA’të kanë dhënë për bankat, apo ajo e vendeve të BE’së veç e veç.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›