REC: Edukimi mjedisor është një proces që zgjat gjithë jetën

Edukimi mjedisor dhe ai për zhvillimin e qëndrueshëm është një proces që zgjat gjithë jetën. Fillon nga fëmijëria e hershme, në edukimin e brezave të rritur dhe shkon më tej se edukimi formal. Vlerat, të tilla si mënyra e jetesës dhe qëndrimet, fitohen që në fëmijëri, prandaj roli i edukimit është i një rëndësie të veçantë sidomos për fëmijët. “Ai duhet të përshkojë programet mësimore në të gjitha nivelet, duke përfshirë edukimin profesional, trajnimin për mësuesit dhe edukimin e vazhdueshëm për profesionistët”, pohuan sot burime nga REC. Nevoja për një edukim të plotë shumë dimensional mbi mjedisin, parashtrohet jo vetëm si një alternativë për të patur individë më të qytetëruar, por edhe si një zgjidhje e vetme për të sfiduar problematikën e shumëllojshme me të cilën përballemi. Duke vlerësuar të rëndësishëm këtë proces, REC ka hartuar të parën kurrikul të plotë për edukimin mjedisor në Shqipëri, të quajtur "Paketa e Gjelbër", e cila është shpërndarë me ndihmën e Drejtorive Arsimore Rajonale në të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit.
Institucionet e edukimit formal, sipas REC, luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve që në moshë të vogël, duke dhënë njohuri dhe duke ndikuar në mënyrën e qëndrimit dhe sjelljes. Ndaj, është e rëndësishme që të gjithë nxënësit dhe studentët të marrin njohuritë e duhura mbi edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të jenë të informuar për ndikimin që kanë vendimmarrjet që nuk mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Edukimi mjedisor, i bazuar në Paketën e Gjelbër, është konsideruar si lëndë ekstra kurrikulare dhe për herë të parë u praktikua gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor 2006-2007. Por, sipas REC, bazuar në njohuritë që ka nxënësi si dhe programet mësimore, vlerëson se mundësia më e mirë është futja e edukimit mjedisor në klasën e 7-të (2 orë në javë në dispozicion të lëndëve ekstrakurrikulare). Gjatë punës që REC bëri për të sjellë këtë paketë në Shqipëri, si dhe në tavolinat e shumta të diskutimit me ekspertë dhe metodistë, u shtrua si domosdoshmëri trajnimi i mësuesve që do të jepnin këtë lëndë në shkollë. Në një vlerësim të ecurisë së këtij procesi (shtator 2009), REC thekson se “Paketa e Gjelber kontribuoi jo vetëm në njohjen dhe futjen e lëndës së edukimit mjedisor në shkollë, por dhe në ngritjen profesionale të mësuesve, që trajtojnë këtë lëndë në shkollë”. Një tregues tjetër i suksesit të paketës, sipas të njëjtave burime, është dhe kërkesa e mësuesve, por dhe e nxenësve për paketa të reja, apo dhe ribotim të tyre.
Edukimi mjedisor në universitet
Nga ana tjetër, REC i vlerëson universitetet si një hallkë tepër e rëndësishme në edukimin e brezit të ri. Prandaj, për vitin akademik 2008-2009, REC po mbështet shtrirjen e edukimit mjedisor në nivel universitar, përmes programeve eksperimentale dhe përhapjen në kurrikul si një tematikë e veçantë e edukimit mjedisor për mësuesit. Synimi i kësaj nisme është pajisja e mësuesve të rinj, që dalin nga bankat e shkollës, me njohuri dhe aftësi të reja metodike për të zhvilluar temat e edukimit mjedisor në shkollë, duke i bërë ata më kompetentë dhe të përgatitur në lidhje me kërkesat në rritje të realizimit të edukimit formal dhe joformal sot në shkollën tonë. REC ka fokusuar bashkëpunimin në fakultetet e sistemit publik universitar në vend, që përgatisin mësues, për të zhvilluar dhe përfshirë edukimin mjedisor në sistemet e tyre edukative, apo dhe në lëndët e lidhura me të. Fakultetet e përfshira në programin e REC për vitin akademik 2008-2009 janë Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe i Historisë dhe i Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, si dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Shkodrës. “Nisma për përfshirjen e edukimit mjedisor në kurrikulën universitare është përkrahur nga përfaqësuesit e fakulteteve të përfshirë në këtë program, që përgatisin mësues për sistemin arsimor bazë, gjë e cila tregon nevojën, domosdoshmërinë dhe dobinë e një ndërhyrje të tillë”, vlerëson REC në raportin e fundit monitorues të këtij procesi. REC sugjeron se vend të rëndësishëm në këtë program të ri mjedisor duhet të zenë problemet globale, rajonale, kombëtare dhe lokale mjedisore, duke i shpjeguar ato nëpërmjet konceptit të ciklit jetësor dhe duke u fokusuar jo vetëm në ndikimin mjedisor, por edhe në problemet ekonomike dhe sociale, duke trajtuar mjedisin natyror dhe atë të modifikuar nga njeriu.
...