Berisha: Lirimi i Beqajt nga burgu, dëshmi e kontrollit të drejtësisë nga Rama

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas lirimit nga burgu të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, duke e cilësuar vendimin si “dëshmi flagrante” të kontrollit të sistemit të drejtësisë nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë një konference për mediet, teksa iu përgjigj gazetarëve, Berisha tha se lirimi i Beqajt tregon se drejtësia ndodhet nën ndikimin e qeverisë.
“Komentet e mia janë këto: lirimi i Ilir Beqajt është dëshmi e fundit flagrante e kontrollit të plotë dhe total të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Vetë akuza kundër tij ishte qesharake në raport me plaçkitjen e qindra-milionë eurove”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për emërimin e ish-zyrtares së PD si drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit duke u shprehur se “korruptimi, burgosja dhe rrënimi i opozitës është politikë kryesore e diktatorit Edi Rama”.
“Në këtë kuadër gjenden edhe individë që shiten dhe blihen sipas tregut të qeverisë. Por opozita qëndron më e vendosur dhe më e pamposhtur se kurrë sot ndaj tij dhe e gatshme të bëjë gjithçka për largimin e tij nga pushteti”, tha kreu i PD-së
Berisha u ndal dhe tek ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, për mënyrën e menaxhimit të pandemisë së COVID-19, duke pretenduar se vendimet e marra gjatë asaj periudhe kanë ndikuar në rritjen e numrit të viktimave në Shqipëri.
/m.q/r.e/a.f/