E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Lista e PD-së, fitorja e sigurt e 28 qershorit

“E majta përballë nesh, koalicioni i humbjes”

“Ne kryesojmë qarqet e vendit”

* * * *

Lideri i PD-së, Sali Berisha, duke u bashkangjitur nga një përshkrim të shkurtër secilit nga 140 kandidatët, u bëri mbrëmë prezent shqiptarëve njerëzit me të cilët do të garantojë fitoren e 28 qershorit. Teksa e cilësoi si listën e fitores, përmes një konference për shtyp, Berisha e konsideroi publikimin e listës së kandidatëve si një çast solemn të Kryesisë së Partisë Demokratike. Kryeministri vuri në dukje se PD-ja shkon në zgjedhjet e 28 qershorit me objektiva të arritura dhe premtime të mbajtura. Sipas Berishës, arritjet e kësaj qeverie janë vlerësuar nga autoritetet ndërkombëtare që kanë vizituar vendin dhe nga ata që ai vetë ka takuar gjatë vizitave jashtë shtetit.

“Ky është një moment solemn i Kryesisë së PD-së. Shqipëria gjatë qeverisjes sonë u vizitua nga Presidenti Bush dhe Kryeministri u prit nga kancelaritë e gjithë botës. Gjithashtu, me ne u bë anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për statusin e kandidatit për në BE”, - deklaroi Kryeministri Berisha. Berisha vlerësoi se ndër premtimet kryesore të realizuara nga qeveria e tij ka qenë edhe rritja e rrogave dhe pensioneve. Ai vuri në dukje se kurrë ndonjëherë një qeveri nuk ka vendosur më shumë se ne para në buxhetet e familjeve. “Janë dyfishuar rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve dhe janë dyfishuar pensionet në fshat”, - theksoi ai. Kryeministri nënvizoi gjithashtu se në këta 4 vjet, Shqipëria ka parakaluar vendet që pak vite më parë ishin më të zhvilluara, si Rumania dhe Bullgaria. Berisha pohoi se PD-ja shkon në zgjedhje me një kryesim në qarqet kryesore të vendit. Ai përmendi: “Hyjmë në zgjedhje me një avantazh prej 40 mijë votash në proporcionalin rajonal. 139 mijë vota kishte PD-ja, 106 mijë PS-ja. PD hyn në qarkun e jugut, në Gjirokastër, me një avantazh të qartë. Ajo me aleatët e saj ka 24 mijë vota, ndërsa PS dhe aleatët e saj 22 mijë vota. Në Shkodër, rezultati i PS-së nuk ngjitet deri në nivelin e gjurit, ndërsa PD me aleatët ka 57 mijë vota, PS ka 27 mijë. Në qarkun e Lezhës, 42 mijë vota koalicioni aktual kundër 16 mijë votave të PS-së. Dibra është e njëjta gjë. PD dhe aleatët kanë 42 mijë vota, ndërsa PS dhe satelitët e saj nën 10 mijë vota. Korça, PD dhe aleatët 60 mijë e 970 vota, PS 45900. Në qarkun e Vlorës PS ka vetëm 1 mijë vota para PD-së. “Këto 1 mijë vota PD-së do t’ia dhurojë Llakatundi, Novosela, Selenica etj. Edhe këtu është një situatë e pashpresë. Edhe në Fier rezultati është dëshpërues. PD po shkon në zgjedhje me një forcë që s’e ka pasur që nga 92-shi”, - pohoi z. Berisha. Duke renditur arritjet e vendit në këto katër vite, kreu demokrat e quajti koalicionin e majtë si koalicion të humbjes, madje theksoi se Partinë Socialiste e pret disfata në zgjedhje. Lideri demokrat reagoi dje edhe ndaj shtyrjes së dorëzimit të listës nga ana e kryetarit të PS-së duke thënë se pavarësisht kësaj, Rama është i humbur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›