E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Luksic marreveshje per 2 pika kalimi kufitar Shqiperi-Mali i Zi

Kryeministri Berisha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Podgoricë. Pas takimit me homologun malazez Igor Luksiç, dy shtetet firmosën marrëveshjen për dy pika te reja të kalimit të përbashkët kufitar “Zatrijebacka Cijevna – Grabon” dhe “Cerem – Vranicë”. Për dy kryeministrat kjo është një ndër të shumtat marrëveshje me të cilat dy vendet angazhohen për përdorimin efikas të resurseve të përbashkëta dhe zhvillimit turistik, veçanërisht në zonën e Bjeshkëve të Namuna apo në Liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës pas ndërhyrejeve të përbashkëta për rehabilitimin e tyre.
Kryeminsitri malazez Luksiç në fjalën e tij tha se: “Marrëveshja e saponënshkruar ka si qëllim rrugën që do të afrojë Plavën me Podgoricën dhe që do të jetë një simbol i bashkëpunimit shumë të mirë mes dy vendeve. Në interesin tonë të përbashkët janë edhe Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna dhe ne jemi marrë vesh, që të investojmë përpjekje gjithnjë e më të mëdha për përdorimin e këtyre resurseve, në të mirë të zhvillimit më të mirë ekonomik mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Ndërsa kryeminsitri Berisha u shpreh: “Është kënaqësi e veçantë që qeveria e Malit të Zi po investon në rrugën që afron Plavën me Podgoricën dhe projekti ynë më i madh, i përbashkët, do të jetë përpjekja për t’i servirur Evropës dhe botës kompleksin turistik të Bjeshkëve të Namuna, të cilat janë ndër malet më mahnitëse në mbarë Evropën. Sot ato quhen Bjeshkët e Namuna, por unë jam i sigurt se në një të ardhme jo të largët, do të jenë po turistët, që duket se u kanë dhënë këtë emër në të shkuarën, që do t’i pagëzojnë me Bjeshkët e Bekuara. Qeveritë tona do të shqyrtojnë investime të tjera dhe mundësitë e ndërhyrjes, qoftë edhe të sektorit publik, në organizimin e tureve turistike në Bunë, në Liqenin e Shkodrës”.
Naconalizimi në rajon, sa i gjallë është ai dhe sa mbështetet nga të dy vendet, ishte një tjetër çështje që u prek nga media gjatë konferencës së përbashkët, por për të cilën Mali i Zi dhe Shqipëria kanë pak për të thënë. Integrimi europian është interesi më i madh i rajonit theksuan Berisha dhe Luksiç.
“Ajo që ne po mundohemi që të shohim në marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë është me të vërtetë një bashkëpunim i mirë, një politikë plotësisht evropiane që mund të shërbejë si shembull edhe më gjerë, dhe kjo amortizon plotësisht çdo lloj qëndrimi që mund të jetë nacionalist apo ekstrem”.-theksoi Luksiç
Kryeministri Berisha tha se: “Çdo njeri i qytetëruar ka për interes të parë, interesin kombëtar. Sot unë mendoj se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi i tyre në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian ka faktuar se është një komunitet apo është një rend, i cili bazohet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në liritë dhe të drejtat e individit, në respektim të të gjitha diversiteteve dhe sensitiviteteve në hapësirën e tij. Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë ideali kombëtar bëhet ose barazohet me idealin evropian. Kështu që zërat e ekstremistëve ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush. E vërteta është që popujt tanë dhe vendet tona kanë përkushtimin më të madh për integrimin në Bashkimin Evropian. Ata të gjithë e dinë se në këtë proces do të japësh copëza, pjesëza të sovranitetit tënd, por votojnë për të si interesi më i mirë i tyre dhe i vendit të tyre”.
Media ka shfrytëzur rastin të pyese kryeministrin shqiptar për idenë e e paradokohëve për ndërtimin e një centrali bërthamor në veri të vendit. Por kryeministri Berisha për të disatën herë ka theksuar se ky qëndrim është pezulluar pas tragjedisë në centralin e Fokushimas në Japoni
Kryeministri Berisha tha : “Unë besoj se energjia më e pastër dhe me kosto më të ulët është ajo nukleare, por Fukushima të imponon të rishqyrtosh qëndrim, sepse, siç dihet, zonat tona janë tektonike. Kështu që ky projekt mbahet ‘on hold’ deri sa shkenca të zgjidhë të gjitha problemet dhe rreziqet e lidhura me përdorimin e kësaj teknologjie”.
Më pas gjatë drekës kryeministrat diskutuan për një sërë çështjesh si dhe për projektin e Trans Adriatic Pipeline (TAP). Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Luksiç e cilësuan atë si projektin më feksibël e më me interes për përfshirjen e rajonit në tregun ndërkombëtar të gazit natyror dhe me përfitim nga kjo lloj energjie e rëndësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›