E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Made in Albania, hapi i madh drejt Shqipërisë Madhështore

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qytetin e Lushnjës. Gjatë fjalës së tij kryedemokrati bëri prezantimin e programit të PD-së.

Berisha tha se do të fokusohen te produktet “Made in Albania”, për të cilat shtoi se “do të jetë krenaria jonë kombëtare”.

“Do e fillojmë me qumështin, me misrin, me frutat, me zarzavatet, me biznesin e vogël, me biznesin e madh. Do prodhojmë edhe makina, do prodhojmë çdo gjë. Shqipëria do jetë prodhuese, prodhuese dhe vetëm prodhuese”, tha Berisha.

Kryedemokrati shtoi se “biznesit të vogël, tavanin nga 140 mijë euro do e ngremë në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim-fitimin. Zero nën 180 mijë euro do kenë TVSH apo tatim-fitim”.

“Do hiqen një seri masash shtrënguese, inspektoratet do marrin karakter krejt tjetër”, shtoi Berisha.

“Pra, Made in Albania do jetë hapi i madh drejt Shqipërisë Madhështore”, nënvizoi Berisha,

Berisha shtoi se “Shqipëria Madhështore e ka kusht të të gjitha kushteve pastrimin e shtëpisë tonë”.

“Në qoftë se nuk ndahemi me krimin dhe hajnat, me hajdutët që pinë gjakun tuaj si shushunja ditë për ditë, ne të ardhme nuk kemi. Ndaj u jap fjalën se me forcën e ligjit do vendoset përpara drejtësisë çdo lidhje krimi, çdo kriminel, çdo qeveritar i inkriminuar”, tha Berisha.

“Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ligjit, e të drejtave të qytetarëve, e dinjitetit të tyre”, tha Berisha.

Duke folur për rikthimin e shqiptarëve, Berisha tha se “nuk ka motiv më të madh sot se të luftosh për një “Shqipëri Madhështore”.

“Nuk ka motiv më të madh sot se të bësh gjithçka t’u kthesh shqiptarëve paratë e tyre në rroga, pensione dhe shërbime”, tha Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›