E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Majlinda Kelmendi, mbretëresha e botës në xhudo

TIRANE - Kryeministri Berisha priti sot Majlinda Kelmendin, Kampionen e re të Botës në xhudo dhe trajnerin e saj Driton Kuka.

Kryeministri Berisha e quajti Mbretëresha e Botës në xhudo kampionen Majlinda Kelmendi, ndërsa tha se fitorja e saj i gëzoi shqiptarët kudo nëpër botë.

"Shqiptarët e kanë pritur me vite kurorën e parë të mbretit në sport, por kurorëzimi i një mbretëreshe si ty Majlinda ishte simbolika më e bukur!", u shpreh kryeministri Berisha, duke i dhuruar asaj dhe trajnerit Kuka monedhën e argjendtë të 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha përgëzoi Kampionen e Botës, Majlinda Kelmendi dhe e falenderoi për emocionet e jashtëzakonshme që i dha çdo shqiptari dhe atij personalisht me fitoren e ndeshjes të dy javëve më parë për titullin kampion bote në xhudo, që u mbajt në Brazil dhe që u përcoll me shumë jehonë nga media ndërkombëtare.

Majlinda Kelmendi, Kampionia e Botës në xhudo, duke falenderuar kryeministri Berisha për vlerësimin, tha se ai dhe familja e saj ishin të parët që e përgëzuan për fitoren dhe se me këtë fitore shleu një peng nga mosarritja e rezultatit të dëshiruar në Olimpiadën e Londrës të një viti më parë.

Trajneri i saj, Driton Kuka, e quajti një ngatërresë të bukur kur gjatë ngritjes së flamurit të Kosovës organizatorët luajtën himnin kombëtar.

Kampionia e Botës në xhudo, Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka, thanë se kishin ardhur enkas në Tiranë nga Prishtina për të ndarë nga afër gëzimin me Kryeministrin Berisha, të cilin ata e quajtën "Kryeministrin shpirtëror të shqiptarëve".

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›