Berisha: Mandati i ardhshëm do jetë ai i gazifikimit të Shqipërisë

Kreu i qeverisë në mbledhjen e grupit të PD: Gazsjellësi TAP, ndikim në uljen e kostos së jetesës
-- Do të vijohet me shtrirjen e tubacioneve për gazin për ngrohje dhe gatim në të gjithë territorin e Shqipërisë. Projekti sjell pas vetes një projekt madhor që do të ndryshojë pozitivisht jetën e familjeve shqiptare
Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar memorandumin e firmosur në SHBA mes Shqipërisë-Italisë dhe Greqisë për gasjellësin TransAdriatik Pipeline, i cili përbën aktin më të rëndësishëm që Shqipëria ka firmosur në fushën e bashkëpunimit ekonomik apo energjetik. Sipas tij, impakti i këtij projekti është më i rëndësishëm se çdo projekt për zhvillimin këtij vendi dhe ka ndikim direkt në uljen e kostos së jetesës. Duke iu referuar pozicionit gjeografik ai tha se ky projekt përbën një nyje të rëndëshime të transportimit të gazit, jo vetëm drejt Italisë por edhe Veriut të Ballkanit dhe bën të mundur që Shqipëria të shndërrohet në vend prodhues madhor energjie në rajon. “Me zbatimin e tij shqiptarët do të mund të marrin energjinë për ngrohje dhe gatim me çmime shumë të leverdishme se të sotmet. Projekti ka ndikim direkt në uljen e kostos së jetesës së qytetarëve shqiptarë. Projekti përbën rëndësi për ndërtimin e projekteve me kapacitete energjetike të avancuara që respketojnë në mënyrë rigoroze mjedisin, ajrin dhe bëjnë të mundur që Shqipëria të shndërrohet në prodhues madhor energjie për rajonin”- u shpreh kryeministri. Gjithashtu, në këtë drejtim, kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të nisë mandatin e ardhshëm projektin e gazifikimit të vendit. “Do të vijohet me shtrirjen e tubacioneve për gazin për ngrohje dhe gatim në të gjithë territorin e Shqipërisë. Projekti sjell pas vetes një projekt madhor që do të ndryshojë pozitivisht jetën e familjeve shqiptare”- theksoi kryeministri Berisha.
Akuzat e PS-së ndaj “Albpetrol”, shpifje dhe trillime
Kreu i qeverisë i është referuar edhe privatizimit të kompanisë Albpetrol duke akuzuar opozitën për shpifje dhe trillime për këtë proces. “Dua të theksoj se disa qëndrime të shfaqura gjatë ditëve të fundit, janë shpifje dhe trillime nga opozita kanë qënë të motivuara nga ligësia njerëzore, nga keqdashja e plotë, nga smira e pakufishme. Unë dua të informojë shqiptarët se ky proces ka nisur tre vjet më pare dhe është një proces i gjatë, serioz i shumë anshëm dhe në mënyrë absolute s`ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Është mjerim të shohësh tituj meskinë të dala nga labirintet e fabrikës së mashtrimit të PS-së. Procesi do të kalonte në të gjitha etapat e domosdoshme dhe kështu ndodhi”- tha Berisha. Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë arsye tjetër veç vendosmërisë për të thelluar privatizimin si kusht për të rritur eficencën ekonomike. “Rëndom eksponentë të opozitës e cilësojnë këtë si një shitje, identike gjuha e etërve të tyre. Dhënia me koncesion për shfrytëzim të pasurive është interesi jetik i gjithë qytetarëve, asnjë centimetër tokë nuk është shitur, por nafta, gazi që flenë në shekuj e mijëvjecarë, kromi, bakri, floriri, janë thjesht gurë, fosile, nëse ato nuk nxirren, përpunohen apo shiten në treg”- shtoi kryeministri.
...