Arrestohet oficeri i policisë, ndihmoi të kërkuarin nga policia italiane

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacioni policor "Konfirmimi i rremë" për kapjen dhe arrestimin e shtetasve:
-Aleksandër Nikollë Kolmarku, 53 vjeç, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Lezhë.
-Gjergj Nikola Tushaj, alias Gjokë Ndue Tushaj, vjeç 48, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur në sajë të një hetimi intensiv disa mujor të kryer nga Sektori Kundër Korrupsionit në Policinë e
Shtetit në bashkëpunim me njësinë Task Forcë, në kuadër të zbatimit të një letërporosie të autoriteteve policore italiane për shtetasin Gjergj Nikola Tushaj, (alias Gjokë Ndue Tushaj), i akuzuar nga autoritetet italiane për veprat penale rrëmbim personi, shfrytëzim prostitucioni dhe marrëdhënie seksuale me dhunë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Aleksandër Kolmarku, përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, ka ndihmuar shtetasin Gjergj Tushaj (alias Gjokë Tushaj) që t`i shmanget përballjes me autoritetet italiane të drejtësisë.
Bazuar në materialet e grumbulluara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë në kuadër të këtij hetimi, nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë ndaj këtyre shtetasve është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg".
Operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit rreth orës 12:30, të ditës së sotme njëkohësisht në qytetet e Tiranës dhe të Lezhës.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre do t`i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë nën akuzën e kryerjes së veprave penale "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim dokumentesh" e kryer në bashkëpunim.