E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Jemi në prag të statusit, të miratohen reformat e mbetura

01-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së merr pjesë në mbledhjen e Lidhjes së Gruas për Integrim

Kur mbeten dhe pak ditë nga publikimi i progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, kreu i LSI-së, Ilir Meta i bëri thirrje forcave politike në vend që të tregojnë vullnetin politik për të përmbushur edhe kriteret e kërkuara. I pranishëm në mbledhjen e komitetit drejtues kombëtar të LGI-së, Meta ka kërkuar nga partitë e mëdha të miratojnë reformën parlamentare dhe ligjin për Gjykatën e Lartë. “Është e rëndësishme kjo javë pasi pritet që të publikohet javën tjetër progres raporti i KE-së. Pritet që këtë javë të plotësohen detyrimet e rëndësishme që mbeten ende për të konfirmuar nga Shqipëria, si psh përmbyllja e reformës parlamentare dhe ligji për Gjykatën e Lartë që është hartuar sipas standarteve europiane”- u shpreh Meta.
Sipas tij, është ecur përpara me hapa të rëndësishëm  duke miratuar reformën zgjedhore dhe kufizimin e imunitetit por duhet të ecet përpara edhe me ligje të tjera.
“Reforma parlamentare dhe dhe ligji për Gjykatën e Lartë kërkojnë vullnet politik në mënyrë që opinioni të jetë sa më shumë pozitiv për marrjen e statusit kur flitet për pritshmëri të kësaj prej disa vitesh, ku jemi në prag të 100 vjetorit të pavarësisë dhe jemi në një situatë ku ku sinjali pozitiv do të ishte një mesazh inkurajues për të gjithë shqiptarët kudo që janë për të mbështetur integrimin europian. Apeloj partitë politike që të bëhen të gjitha përpjekjet për të treguar seriozitet dhe vullnet për të ecur përpara gjatë kësaj jave dhe për të miratuar reformat e kërkuara. Gjithashtu duhet të jetë edhe një thirrje e brendshme për të gjitha forcat politike që të marrin më shumë përgjegjësi për këtë çështje kaq të rëndësishme”- tha Meta.
Kreu i LSI-së ka kërkuar gjithashtu angazhimin e LGI-së për të bërë të mundur rritjen e rolit të LSI-së por edhe për të gjitha sfidat që kanë të bëjnë me përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›