LSI: Të përfundojë në kohë reforma zgjedhore

Kur ka mbetur edhe 4 ditë nga përfundimi i mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, Lëvizja Socialiste për Integrim bën apel për përfundim në kohë të kësaj reforme. Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama ka kërkuar nga komisioni të marrë parasysh propozimet e 26 partive politike.
“Kurorëzimi me sukses i reformës zgjedhore është edhe kusht që duhet të përmbush Shqipëria që do të marrë statusin e kandidatit. Nga kjo pikëpamje në emër të LSI-së komisioni i mandatuar për të realizuar reformën duhet të reflektojë mbi propozimet e bëra nga 26 partitë polite dhe si një shenjë e një vullneti të mirë e për të realizuar një reformë që çdo votë të jetë e barabartë për vlerën e saj” theksoi Luan Rama.
I pyetur nga gazetarët nëse Ilir Meta mund të jetë një emër i mirë për kandidat për president, Luan Rama është përgjigjur: “Pse jo. Ligji dhe kushtetuta parashikon kriteret se kush mund të jetë kandidat dhe LSI-ja nuk e përjashton veten që të kontribuojë në të mirë të realizimit të zgjedhjes së një presidenti konsesual pastaj çështja e emrit do të përzgjidhet nga forumet” theksoi Rama.
Sipas tij zgjedhja e kryetarit të shtetit nuk është sfidë individësh por sfidë e klasës politike të vendit përballë interesave europiane të Shqipërisë. “Është sfida e shprehjes së nivelit të pjekurisë politike përballë interesave europiane” shtoi Luan Rama.