Rama: Sot shërbimi shëndetësor merret vetëm sipas xhepit

Kryetari i PS-së Edi Rama ka reaguar sot në rrjetin social “Twitter” në lidhje me deklaratat e kryeministrit për sistemin e shëndetësisë.
Ndërsa e ka cilësuar si absurd fjalimin e kryeministrit Berisha mbi progresin e madh në shërbimin shëndetësor, Rama ka theksuar se ky shërbim sot merret sipas xhepit.
“Sot shërbimi shëndetësor merret vetëm sipas xhepit, ne do ta garantojmë sipas nevojave të çdo qytetari.Me ne Shërbim Kombëtar Shëndetësor!” shkruan Rama.
Sipas tij, rruga e ndjekur nga qeveria çon në rrënimin e mëtejshëm të shërbimit shëndetësor ndërsa ka theksuar se sot korrupsioni në shëndetësi është më i lartë se asnjëherë.
“Shërbimin do e blejë shteti dhe do e ofrojë për të gjithë,rruga e sotme çon vetëm drejt rrënimit të mëtejshëm dhe le jashtë të pasiguruarit. Vdekshmëria foshnjore historikisht e ulët,korrupsioni kurrë më i lartë në shërbimin shëndetësor, rrënimi i mëtejshëm vazhdon. Duhet rilindje!” ka theksuar më tej Rama
Ai gjithashtu ka publikuar edhe një foto që sipas tij shpreh qartë gjendjen ku ndodhet sot sistemi i shëndetësisë.