E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Marrëdhënies me Serbinë, me qëllimin e përbashkët të integrimit rajonal në BE

24-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha priti në takim Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mirkiç, ku u shpreh për “një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive mes dy vendeve, në interes të rajonit dhe qëllimit të përbashkët për integrim në BE”

Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mirkic.
Ministri Mirkic e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen dhe i përcolli përshëndetjet e Presidentit Nikolic dhe Kryeministrit Dacic për të dhe popullin shqiptar. Ai u shpreh se në këtë vizitë sillte mesazhin e ndjenjave miqësore të qeverisë së re serbe, për popullin shqiptar.
Merkic u shpreh se dy kombet kanë jetuar pranë njëri - tjetrit ndër shekuj dhe do të ishte në interesin më të mirë të marrëdhënieve dypalëshe që, raportet bilaterale të bazohen në pjesën më të mirë të marrëdhënieve shumë shekullore. Ministri theksoi se vërtet ekzistojnë diferenca në marrëdhëniet dypalëshe, por këto marrëdhënie, në të ardhmen, duhet të bazohen në qëllimet e mira të përbashkëta, pavarësisht diferencave.
Kryeministri Sali Berisha i shprehu mirëseardhjen ministrit Merkic dhe gjithashtu, përshëndetjet e tij për Presidentin Nikolic dhe Kryeministrin Dacic. Kryeministri Berisha e siguroi ministrin se qeveria shqiptare ka dhënë gjithmonë mesazhin e qartë të bashkëpunimit dypalësh. Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare është e interesuar për një kapitull të ri marrëdhëniesh pozitive mes dy vendeve dhe se një zhvillim i tillë është edhe në interes të rajonit dhe të qëllimit të përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian. 
Kryeministri gjithashtu theksoi se dallimet mes të dy vendeve nuk duhet të bëhen pengesa për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se pavarësisht të shkuarës, e ardhmja e këtyre marrëdhënieve duhet të jetë ajo e miqësisë dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok, si në edukim, kulturë, turizëm, ekonomi etj. 
Në këtë kuadër, Kryeministri vlerësoi se përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore lehtëson shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj. Kështu, ndërtimi i autostradës Nish – Merdarë dhe i një hekurudhe që lidh portet e Shqipërisë me Evropën Qendrore, do të krijojnë hapësira të mëdha bashkëpunimi në të ardhmen.
Të dy bashkëbiseduesit u shprehën për nevojën për të rikapur shanset e humbura në të shkuarën dhe se, në këtë kuadër, është me rëndësi zhvillimi i takimeve në kuadrin e një komiteti ndërqeveritar, i cili do të identifikojë fushat me interes dypalësh.
Panariti: “T’i jepet fund dhunës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës/Shqipëria dhe Serbia angazhohen të përmirësojnë dhe forcojnë marrëdhëniet dypalëshe, pavarësisht dallimeve të thella veçanërisht për çështjen e Kosovës. Ministri i Jashtëm serb Ivan Mirkic deklaroi dje në Tiranë se qeveria e tij kërkon një bashkëpunim të fortë me Tiranën, ndërsa shtoi se ajo është angazhuar për të çuar përpara bisedimet me Prishtinën. Nga ana e tij ministri i Jashtëm Edmond Panariti theksoi se Shqipëria do të mirëpriste që në përfundim të bisedimeve Beogradi të njihte pavarësinë e Kosovës, si një shenjë e shkëputjes nga e kaluara e dhunës dhe gjenocidit të regjimit të Millosheviçit. “Çështja e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në radhë të parë ne e konsiderojmë si çështje midis dy vendeve sovrane, të pavarur, të cilët nëpërmjet dialogut dhe vullnetit të përbashkët do të përpiqen që të zgjidhin të gjitha çështjet që qëndrojnë midis tyre. Një element thelbësisht i rëndësishëm në këtë kuadër mbetet normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe avancimi i mëtejshëm i dialogut mes dy vendeve fqinje për çështje praktike. Është shumë i rëndësishëm takimi midis dy kryeministrave të Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, si një tregues i vullnetit të mirë për të bashkëpunuar, për të zgjidhur çështjet që qëndrojnë midis dy vendeve dhe ne e inkurajojmë dhe e përkrahim fuqimisht këtë. Në mënyrë të natyrshme si fund të këtij procesi të dialogut, ne do të mirëprisnim njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Serbisë”, deklaroi Panariti gjatë konferencës të përbashkët me homologun serb në Tiranë,
Në vizitën e parë pas zgjedhjes në detyrë ministri serb Mirkic ka marrë kërkesa të drejtpërdrejta nga homologu shqiptar që nga njohja e Kosovës deri tek frenimi i dhunës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Faktorin shqiptar në Serbinë e Jugut, i cili meriton dhe duhet të trajtohet sipas standardeve të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike. Evidentova gjatë takimit se, përmirësimi i gjendjes ekonomike, plotësimi i kërkesave për arsimim, informim, përfshirje të këtij komuniteti në proceset vendimmarrëse dhe një mbështetje më e madhe financiare nga shteti serb, është ajo që ne presim. Natyrisht kërkova që autoritete serbe të ndërpresin dhe të ndahen nga aktet e dhunës ndaj këtij komuniteti, sepse këto janë prerogativa për zhvillimin normal dhe ruajtjen e identitetit  të këtij minoriteti dhe i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të urave të bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Shqipëria mbështet integrimin e plotë dhe tё barabartë tё shqiptarëve të kësaj zone në jetën dhe institucionet e Serbisë dhe padyshim pret që, shteti serb të ndërmarrë masa konkrete për ta mundësuar këtë kërkesë”, theksoi Panariti.
Ndërsa vetë diplomati serb Mirkic në shumicën e rasteve ka përdorur armën e tij më të mirë për të shmangur përgjigjet direkte sidomos për Kosovën. “Historia nuk ka qenë fort e favorshme që të zhvilloheshin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ne e dimë fare mirë si ka qenë gjendja pas Luftës së Dytë Botërore, madje dimë edhe të kaluarën jo fort të largët dhe në punojmë për një sqarim të kësaj të kaluare, kohë e cila ka bërë që ne të humbim shumë raste për forcimin e marrëdhënieve tona. Tashmë  ne mendojmë se, duhet që t’i kapërcejmë këto pengesa. Ne si qeveri e re e Serbisë jemi të vendosur me Nikolic të zhvillojmë lidhje të forta me Shqipërinë dhe të gjejmë pikat që na bashkojnë, ndonëse e dimë se kemi pika fondamentale që nuk përputhen, por nëse zgjerojmë bashkëpunimin atëherë mendojmë se do të arrijmë të qartësojmë problemet e tjera”, u shpreh ministri Mirkic. I pyetur se kur Serbia do të kërkojë falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve, ministri serb Mirkiç theksoi se tashmë duhet të vihen në pah gjërat që i bashkojnë dy vendet dhe jo ato që i ndajnë. “Ne serbët e kemi provuar gjenocidin dhe e mbajmë mend gjatë këtë. Ne kemi interpretime të ndryshme për historinë prandaj duhet sa më pak ti referohemi kësaj periudhe dhe këtë t’ia lënë historianëve dhe njerëzve të shkencës. Ne si politikanë duhet të përpiqemi që të vëmë në pah çdo gjë që na bashkon” përfundoi Mirkic.
Vizita e djeshme e ministrit të jashtëm serb, është e para pas tetë vitesh, që kur në 2004 ministri i atëhershëm Vuk Drashkovic do të vinte në Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›