“Promovimi i gjyqtarëve sipas meritës, merr fund praktika e ish-drejtuesve të KLD”

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ripërsërit angazhimin institucional për promovimin e njerëzve profesionistë dhe me integritet në sistemin gjyqësor
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi shprehu sot angazhimin institucional për promovimin e njerëzve profesionistë dhe me integritet në sistemin gjyqësor. Gjatë ceremonisë së organizuar dje në mjediset e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me rastin e publikimit të një sondazhi me gjyqtarët, të organizuar nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë (QTIL) në bashkëpunim me Ambasadën Britanike, ministri Halimi tha se, “jemi në momentin e implementimit të një prej reformave më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, atë të rishpërndarjes së gjyqtarëve në gjykatat e vendit.
“Do të jenë 320 gjyqtar, të cilët do të rishpërndahen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas një studimi të realizuar nga ministria e Drejtësisë, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare. Do të kemi një fizionomi të re të të gjithë gjykatave në vend”, tha Halimi.
Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi vlerësoi si një moment të rëndësishëm reformën në drejtësi, e mbështetur kjo reformë dhe nga Bashkimi Europian.
Sipas tij, edhe Bashkimi Evropian, në progres raportin e tij, e ka përkrahur këtë reformë, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme, madje edhe te vonuar.
“Kjo reforme nuk mund të vinte pa u krijuar më parë një sistem pikëzimi, një sistem i karrierës së gjyqtarëve në bazë të meritës në mënyrë që të mos kemi ato praktika, të cilat kane qenë të kritikueshme dhe që kanë dëmtuar sistemin, praktika që kanë synuar transferimin e gjyqtarëve jo në bazë të meritës, por në bazë të interesave të njërit apo tjetrit”, tha Halimi.
Ministri u shpreh se, praktikat që cenonin transferimet dhe emërimet e gjyqtarëve të ndjekura nga ish-kryetari i KLD-së dhe nënkryetari do të marrin fund.
Kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Eduard Halimi, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e promovimit të gjyqtarëve mbi bazën e meritës, ndërsa përgëzoi KLD-në për zbatimin e nismave që i shërbejnë këtij synimi.