Berisha: Marrja e ftesës për në NATO garanton një të ardhme të sigurtë për shqiptarët
Shqipëria mori vendin që meriton duke u renditur në mes të kombeve të lira. Kështu ka deklaruar Kryeministri Sali Berisha, pas marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë. Duke iu referuar historisë së vështirë të shqiptarëve veçanërisht gjatë diktaturës komuniste, shefi i ekzekutivit Berisha theksoi, se pas shpalljes së pavarësisë, vendi ishte i qeverisur aq keq sa që nuk arriti të marrë vendin që i takonte mes vendeve demokratike. “Nga mesi i viteve ‘50 në një traktat ushtarak u rreshtuan diktaturat që kishin vetëm një qëllim të vetëm, të mbronin diktaturën. Sot vendi dhe kombi rreshtohen në një Aleancë politike dhe ushtarake, në shtyllën kryesore të lirisë botërore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e mëdha të botës së lirë. Sot, Shqipëria hyn në të ardhmen e saj të sigurtë, pasi forma më e fuqishme, më e sigurtë e një vendi është siguria kolektive dhe e tillë është NATO”, u shpreh Kryeministri Berisha. Duke renditur disa nga përfitimet e shqiptarëve nga anëtarësimi në NATO, Kryeministri Berisha theksoi, se “me marrjen e kësaj ftese shqiptarët fitojnë sigurinë e të ardhmes së tyre dhe mund të ndërtojnë me gjeninë e tyre krijuese të ardhmen që meritojnë, si dhe do të fitojnë kredencialet që i meritonin”. “Shqiptarët vendosen mes kombeve të lira me të gjitha vlerat,të gjitha detyrimet, të gjitha përgjegjësitë.Unë mendoj se pas pavarësisë së Shqipërisë që shënoi ditëlindjen reale të vendit,anëtarësimi në NATO është ngjarja më e rëndësishme për Shqipërinë”, theksoi Kryeministri Berisha. “Realisht ftesa nuk është fundi i kësaj rruge, por ftesa është një fillim i ri,është një moment inspirimi shumë i thellë për të proceduar me reforma të gjithanshme në mënyrë që sa më shpejt të përfundojnë negociatat dhe ratifikimet në mënyrë që vendi të hyjë si anëtar me të drejta të plota në këtë Aleancë të bekuar”, theksoi më tej Kryeministri.“Me këtë rast dua të falenderoj me mirënjohjen më të thellë SHBA-në, për mbështetjen e fuqishme dhe të jashtëzakonshme që u kanë dhënë aspiratave tona, për ndihmën e madhe që kanë dhënë për përmbysjen e diktaturës komuniste nga Presidenti Xhorxh Bush, si dhe për ndërtimin e demokracisë dhe vlerave të saj nga Presidenti Klinton, por edhe ndihmën e jashtëzakonshme të Presidentit Xhorxh Ë. Bush”, nënvizoi Kryeministri. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha solli në vëmendje një takim me ambasadoren amerikane në NATO, e cila e informoi se “Presidenti Bush ishte interesuar personalisht për ecurinë e reformave në Shqipëri”. “Por një mirënjohje të jashtëzakonshme unë kam për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, e cila u bë një nga avokatët tanë në këto përpjekje”, tha Kryeministri. Sipas tij, sot vendet anëtare të Aleancës kanë vendosur një besim të paprecedent ndaj Shqipërisë në historinë e saj. “Unë nuk kisha fjalë tjetër, përveçse të bëja një zotim solemn se ky besim do të shndërrohet në një përkushtim të madh për reforma dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për të realizuar standardet për të merituar anëtarësimin e plotë”, tha më tej ai. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi, se “kjo është një ditë e rëndësishme shumë edhe për NATO-n, jo se NATO shtrin hapësirat e saj në një territor të madh, por shtrihet në dy vende që kanë aspirata të rëndësishme pro-atlantiste, në dy vende, të cilat e bëjnë të sigurtë Krahun e saj Juglindor.