E Shtunë, 31 Tetor 2026

Psikokorrupsioni

"Por unë nuk dua të shkoj mes njerëzve të marrë", vërejti Liza.

"Epo kësaj nuk ke ç‘t‘i bësh", tha Maçoku. "Të gjithë ne këtu jemi të marrë. Unë jam i marrë. Ti je e marrë".

"Po ti nga e di që unë jam e marrë", tha Liza.

"Duhet të jesh", tha Maçoku. "Ose nuk do të kishe ardhur këtu"...

("Liza në Botën e Çudirave")

Kur Shqipëria zuri vendin e tretë, pak kohë më parë, në hitparadën e korrupsionit të "Transparency International", në vend të një trishtimi mbarëkombëtar, ndjesitë e publikut ishin ato të një gëzimi të kamufluar. Më fort u gëzua opozita sigurisht, ndërsa trishtimi u ngujua brenda institucioneve qeveritare. Kush e di pse... Ndoshta për të njëjtën arsye që në tryezat e konferencave ballkanike mbi korrupsionin, vendet pjesëmarrëse grinden me njëri-tjetrin kush të dalë më i korruptuari, sikur kjo në vetvete të ish ndonjë vlerësim i zbukuruar me gjethe dafinash. Si ajo krenaria llahtarisht e këndshme që "ne shqiptarët jemi mafia nr. 1 në Evropë", të cilën fatkeqësisht e mbështesin jo vetëm adoleshentët, por edhe ndonjë profesor universiteti.

Vetë historia e sondazhit është tejet interesante, duke qenë se për të dalë e treta në podiumin e vendeve më të korruptuara, Shqipëria konkurroi energjikisht në Ligën Afrikane, me vende që edhe shqiptarët e kultivuar, i njohin vetëm nga emri e nga historiku i luftërave civile. Ndoshta në ndonjërin prej tyre mundet edhe të kemi shitur armë gjatë embargove të OKB-së, sipas raporteve të "Amnesty International". Çështja është se pavarësisht besnikërisë dhe paanshmërisë në kryerjen e sondazhit, dhe ndonëse pyetjet bazoheshin mbi perceptimin, pra "ndjesitë" e publikut, logjikisht vendi ynë nuk mund të renditej kaq lart, nëse krahasojmë vendet humbëse. Vende ku demokracia është thjesht koncept që e gjen në libra, institucionet u përngjajnë bunkerëve, ndërsa vetë shteti është reduktuar në një kallashnikov "Made in Poliçan", që vetë ne ua kemi shitur gjatë qeverisjeve socialiste të pas ‘90-ës.

Të fitosh garën e vendit më të korruptuar, përballë kundërshtarëve të tillë është njëlloj sikur në futboll, vendi ynë të mundte të gjitha vendet amerikano-latine dhe të dilte i treti, pas Brazilit dhe Argjentinës. Thjesht e pamundur. Atëherë si ndodhi? Ja një variant i mundshëm...

Ashtu sikurse në vende të tjera me demokraci tërësisht apo pjesërisht funksionale, edhe në Shqipëri, është bërë thuajse modë, prirja sociale që kanë të çmendurit për të bombarduar përfaqësitë e huaja diplomatike, median, madje dhe OJF-të me histori teorish konspiracioni që përfshijnë ndodhi përgjithësisht të këndshme. Këtu mund të përmendim rrëfenja, nga rrëmbimet aliene deri te bombardimet në tru me valë të rënda që Instituti i Fizikës Bërthamore u bën ish të përndjekurve, duke i bërë fatkeqët të humbasin disa kilogramë brenda pak sekondash. Personazhe të tillë vizitojnë me raste edhe Lëvizjen Mjaft!. Brenda një kohe mjaft të shkurtër, kemi numëruar një duzinë syresh, të cilët shteti, përveçse i lë të lirë pa u dhënë trajtimin përkatës, duket se ua ka përkeqësuar gjendjen edhe në forma të tjera. Psikoneurozat nga të cilat ata vuajnë janë komplekse, po aq sa teoritë konspirative që lëvrojnë, por diçka i bashkon. Ata që të gjithë luftojnë korrupsionin! Po po, të gjithë ata janë pjesë e fushatës mbarëkombëtare të luftës kundër korrupsionit. Këtu mund të veçojmë dy raste përfaqësuese, të cilat janë në fakt edhe dy rastet e fundit.

Një nga këta therorë të luftës kundër korrupsionit kërkoi mbështetjen tonë për të mbrojtur virtytin e familjes, pasi që kur ai kishte filluar luftën kundër korrupsionit, dy personazhe të emisionit "Portokalli" kishin shpallur se e shoqja ishte kurvë. Si rrjedhojë, tani ai kërkonte që shteti t‘i merrte përsipër analizat e ADN-së, Klonit (dhe diçkaje tjetër), nga të provohej se fëmijët i kishte të tijtë dhe jo të komshinjve. E kotë të thuhet se duke qenë thellësisht i korruptuar, shtetit diçka e tillë nuk i interesonte, duke sabotuar në këtë mënyrë fushatën antikorrupsion të Rastit Klinik Nr. 11.

Rasti Klinik Nr. 12 ka një histori edhe më mbresëlënëse. Një ish-emigrant në Itali, ai kishte ndjerë një zë të brendshëm që e yshtte të vinte në Shqipëri për të luftuar korrupsionin. Kishte mbledhur fakte të shumta, produkt i qëmtimeve të hollësishme të dokumenteve dhe bisedave sekrete telefonike të qeveritarëve, për të cilat kishte bashkëpunuar me "Central Intelligence Agency". Por, kur kishte ardhur dita e shënuar e botimit të librit, atë e kishin sabotuar alienët. Këta të fundit kishin nivele marramendëse korrupsioni në planetët e tyre, ndaj nuk donin që në kozmos të krijohej një precedent si planeti Tokë, përkatësisht Shqipëria, ku korrupsioni luftohej vërtet. Duke bashkëpunuar direkt me Berishën, ata kishin tentuar ta rrëmbenin në më shumë se një rast përmes strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Sërish, pjesa më interesante në historitë e 12 të çmendurve, mbetet përpjekja e përbashkët për të luftuar korrupsionin. Si ka mundësi që brenda periudhës janar 2007-prill 2008, të takosh plot 12 njerëz të tillë që si dikur shoku Ho Shi Min Vietnamin e Jugut, mbajnë thellë në zemër luftën kundër korrupsionit? Disa syresh madje, ishin mbështetës të fushatës antikorrupsion të Kryeministrit dhe për këtë arsye përndiqeshin nga komunistët, të cilët i koordinonte Enver Hoxha nga përtej varrit. Çështja është se të çmendurit thjesht përfaqësojnë raste më të evoluuara të neurozave të përbashkëta të shqiptarëve. Ata janë kulminacioni i mendësisë, muhabeteve, konspiracioneve tona të kafeneve. "Çmenduria është e rrallë mes individëve, por në grupe, parti, kombe e epoka, është rregull". Kjo batutë e Niçes tingëllon jo thjesht e vërtetë, por e jetësuar në frymëmarrjen plot halle të përditshmërisë shqiptare. Dhe mania antikorrupsion është thjesht një nga rrëshqitjet e vogla apo të mëdha të mizërisë së informacionit, me të cilin ne luajmë or‘ e çast "telefonin e prishur".

Zanafilla e këtij muhabeti është pikërisht politika, ajo e madhja fare. Berisha e bazoi fushatën elektorale të 2005-ës mbi luftën kundër korrupsionit. Pas fitores, filloi linçimet e armiqve me këtë pretekst. Lideri i partisë më të madhe opozitare, Rama, e ka në menynë të thuajse çdo deklarate edhe korrupsionin, ndërsa Ilir Meta e shqipton këtë fjalë me dramacitet të skajshëm. Në këtë pikë, ramë të gjithë dakord të luftojmë korrupsionin. Megjithatë, askush deri më sot nuk ka marrë mundimin t‘i shpjegojë miletit se çdo të thotë korrupsion. Nëse kontrollohet në fjalor, zhgënjimi është i madh. Është një koncept që ka të bëjë me moralin e prishur dhe shthurjen, por asgjë specifike. Në këto kushte, sipas porosisë së partisë, i gjithë populli është armatosur deri në dhëmbë dhe ka zënë llogoret, por ende nuk është qartësuar se kush e çfarë është armiku. Dhe sikundër ushtarakët çmenden në kohë paqeje, populli shqiptar po fillon të çmendet në llogoren e tij, si personazhet e "Shkretëtirës së Tartarëve" të Buxatit, duke pritur armikun që nuk kuptohet a po vjen apo nuk vjen, a ekziston apo jo.

Në këtë pikë diçka është e sigurt. Të çmendurit kanë filluar të gjithë të luftojnë korrupsionin. Por ajo që me siguri nuk e dimë është nëse edhe ata që luftojnë korrupsionin kanë filluar të çmenden. Ashtu si në sondazhe edhe mbi këtë çështje nuk ka të dhëna të sakta... është çështje perceptimi. Por nëse pyet vërdallë për të vjelë "perceptimet", punët vërtet që nuk ngjajnë mirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›