E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koloneli: Problemet në Gërdec

Komandanti i operacionit "Gërdec ‘08", kolonel Xhevdet Zeneli, ka treguar gjatë një interviste problemet që u ndeshën në terren, por edhe si u zgjidhën ato. Sipas tij, roli kryesor për të pastruar pasojat e tragjedisë së Gërdecit u takonte Emergjencave Civile. "Te ne ka probleme në pikëpamje të drejtimit dhe funksionimit të strukturave, që nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe të gjithë aktorët që do të jenë pjesë e kësaj pune. Shkohet në një operacion të tillë, njoftohen të gjithë aktorët dhe nuk merret vesh kush është drejtuesi i operacionit", thotë kolonel Zeneli.

Zoti kolonel, përballuat situatën e pas tragjedisë. Ǒpërfaqëson për ju ky moment?

Në pikëpamje të një operacioni konkret, në përvojën time, është hera e parë që kryejmë një të tillë. Nën drejtimin tim e të shtabit/// janë forca të Reagimit të Shpejtë, të Policisë Ushtarake, të Brigadës së Mbështetjes Rajonale. Kanë ardhur edhe forca të Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi me pushtetin vendor në të gjitha nivelet, kontaktet dy herë në ditë me kryetarin e bashkisë dhe kryepleqtë e fshatrave, kanë qenë të shpejta, të shpeshta e korrekte.

A mund të na e përshkruani momentin e marrjes së detyrës?

Mendoj që problemi më i vështirë ishte ai kur ne morëm drejtimin, organizimi i punës që shtabi Task Force të fillonte të funksiononte si një shtab normal. Na u desh që vetë të organizoheshim dhe të gjitha komandat të kalonin në varësinë tonë për kryerjen e operacionit në terren. Që në fillim u përballëm me probleme të vështira e tepër të mprehta: menaxhimi i situatës, nxjerrja e kufomave, pastrimi i sipërfaqeve, kontaktet me pushtetin vendor, kontaktet me familjarët etj. Dikush kërkonte të nxirrte plaçkat që t‘i transportonte në Durrës ose në Tiranë te të afërmit e tyre; dikush tjetër kërkonte të hynte brenda në shtëpi; dikush kërkonte të furnizohej me ushqime; dikush të ngrihej çadra. Të gjitha këto ishin për ne probleme akute, që kërkonin vëmendje, kohë, por edhe shpejtësi.

Cila ishte gjendja juaj emocionale në momentet e para?

Me thënë të drejtën nuk është shumë e thjeshtë, sepse kur mendoje e shikoje realisht shqetësimet e banorëve, kur shikoje personat, të cilët ishin të plagosur, kur shikoje familjarë që kërkonin viktimat dhe kur shikoje njerëzit tanë që nxirrnin viktimat, praktikisht kam përjetuar momente mjaft tronditëse. Më pas gjithçka ishte relativisht më pak e sforcuar. Me organizimin që bëmë, me strukturën e Shtabit që kishim në përdorim, bëmë detajimin e punës, si hapjen e rrugëve, pastrimin e shtëpive (me qëllimin që të krijonim kushte sa më parë që familjarët të ktheheshin pranë tyre) dhe administrimin e një kompleksi elementësh të tjerë të mprehtë. Familjarët kanë hyrë e dalë në zonën e ngjarjes, të kontrolluar nga forcat tona, nga policia dhe nuk ka ndodhur asnjë ngjarje e jashtëzakonshme pas shpërthimit. Kjo, gjykoj unë, është një gjë shumë pozitive në pikëpamje të organizimit dhe të funksionimit të kësaj strukture.

Si ish-drejtor i Shtabit të Përgjithshëm, mendoni se Forcat e Armatosura ishin të përgatitura për të përballuar në terren një situatë të tillë?

Një situatë e tillë e ngjashme ndodhi në Dhëmblan të Tepelenës, në vitin 2006. Pas përballimit të saj, strukturat ushtarake iu nënshtruan një analize të hollësishme. U përcaktuan detyra konkrete, por gjykoj që kjo që ka ndodhur këtu ka përmasa më të gjëra, që nuk varen shumë nga Forcat tona të Armatosura. Përvoja po krijohet gradualisht dhe besoj se është hedhur një hap jo i vogël në këtë drejtim.

Konkretisht, cila ka qenë puna juaj gjatë gjithë këtyre ditëve? Cili ishte organizimi dhe ç‘vlerë ka kjo për përgatitjen e FA, për zgjidhjen e detyrave të kësaj natyre?

Gjykoj që, pas përfundimit të këtij operacioni, do të nxjerrim edhe përfundime, do të nxjerrim dhe rekomandimet përkatëse, do të japim atë që quhet "lesson learn", pra çfarë probleme dolën dhe ç‘mund të nxjerrim ne nga kjo që ndodhi, dhe ajo që mendoj është që ka shumë gjëra që duhet t‘i shikojmë.

Dhe cilat janë këto gjëra?

Tek ne ka probleme në pikëpamje të drejtimit dhe funksionimit të strukturave, që nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe të gjithë aktorët që do të jenë pjesë e kësaj pune. Për mua, është problem që shkohet në një operacion të tillë, njoftohen të gjithë aktorët dhe nuk merret vesh kush është drejtuesi i operacionit. Në fakt, ne jemi gjithmonë pjesë e operacioneve në ndihmë të popullsisë. Rolin kryesor duhet ta luajë Drejtoria e Emergjencave. Në këtë pikëpamje, jo vetëm nëpërmjet stërvitjeve dhe organizimeve e takimeve të ndryshme, duhet patjetër të fiksohet me rregulla të përcaktuara saktë e gjithë kjo strukturë mjaft e rëndësishme. Thuhet që, kur ka situata si kjo e Gërdecit, ne kalojmë në varësi të Drejtorisë së Emergjencave Civile, por shpeshherë në praktikë ka ndodhur që në situata emergjente puna ka filluar duke njoftuar forcat e ushtrisë të shkojnë në emergjencë. Kjo duhet organizuar, në mënyrë që në kohë paqeje, secili të dijë detyrën e tij.

Ju mendoni se ka probleme në legjislacion apo në zbatimin e legjislacionit?

Unë them që janë të dyja, edhe në legjislacion, edhe në zbatimin e tij.

Në rastin konkret, përse e morët ju detyrën? Nuk ishte në funksion Qendra e Emergjencave Civile?

E mora detyrën, sepse jam ushtarak.

Si ka qenë reagimi i gjithë pjesëmarrësve tuaj në këtë operacion?

Duhet t‘u them të gjithëve faleminderit për ç‘ka kanë bërë. Eshtë fakt, sepse ishin të gjithë totalisht të angazhuar, që nga ushtari i parë e deri tek Shtabi, duke përfshirë kohën e keqe, vështirësitë, natën, ditën, përballimin e të gjithë detyrave që janë ngarkuar dhe deri tani ato ç‘ka ne kemi parashikuar e planifikuar, janë realizuar.

Po lidhjet tuaja me komunitetin si ishin?

Duke patur një përvojë të gjatë në Forcat e Armatosura, mendoj se mekanizmat e shtetit kanë funksionuar si asnjëherë tjetër në pikëpamje të reagimit. Konkretisht, me pushtetin vendor, me kryetarin e Bashkisë së Vorës kemi patur një kontakt të vazhduar. Edhe në nivele të tjera bashkëpunimi ka funksionuar jashtëzakonisht mirë, me Policinë e Shtetit në mënyrë të veçantë. Për herë të parë shoh një operacion të tillë, që gjithçka ka funksionuar dhe ka qenë në gatishmëri për realizimin e një detyre të tillë.

Gjatë këtyre ditëve, banorët e Gërdecit apo edhe të tjerët si i kanë parë Forcat e Armatosura, si njerëz shpëtimtarë apo si njerëz që u sollën problemet?

Respekti ka ardhur në rritje... Çdo ditë vijnë njerëz të shumtë që paraqesin hallet, shqetësimet apo problemet e tyre. U jemi gjendur pranë dhe mendoj që kemi bërë detyrën, atë që na takonte për çdo moment.

Ngjarja ndodhi, ‘Task Force‘ u vu në lëvizje, mendoni se është regjistruar përvojë në gjithë këtë histori?

Padyshim. Përvoja më e madhe për ne është që një ‘Task Force‘ e tillë arriti të funksionojë në të gjitha mekanizmat, sikur të ishte një repart i mirëfilltë që funksionon edhe në kohë paqeje. Dhe kjo, falë angazhimit të të gjithë komandave dhe trupës.

Sipas jush, kjo mund të shërbejë për të rindërtuar edhe një herë rregullat e kësaj loje?

Absolutisht që po. Gjykoj se, pas kësaj që ndodhi, të gjithë ushtarakët, në mënyrë të veçantë Shtabi i Përgjithshëm, Komandat e Forcave, përfshirë edhe ne si Komandë Mbështetëse Rajonale, kanë shkak të shikojnë dhe riparojnë punën e tyre.

A mund të konkludohet që kemi të bëjmë me forca profesioniste që dinë ta bëjnë mirë detyrën?

Sigurisht që po. Ka patur ekipe të vendeve të ndryshme që ndodhen në vendin tonë, të cilat kanë bërë vlerësime mjaft të mira. Kontaktet tona të vazhdueshme me përfaqësues e specialistë italianë, me ekipin e TMK-së së Kosovës (në përbërje të tij ka një përfaqësues i KFOR-it, një suedez dhe një zviceran), me përfaqësues të OKB-së me qendër në Gjenevë që merren me emergjencat civile, me një ekip të Komandës Amerikane Evropiane etj, kemi shkëmbyer mendime e përvojë; kemi marrë konsiderata dhe kemi konkluduar për zgjidhje të plota për përballimin e situatës në tërësi dhe episodet delikate në veçanti. Mendimet që kemi shkëmbyer me ta, mendoj se do të formulohen më pas si rekomandimet përkatëse për Qeverinë Shqiptare. Unë gjykoj se, Qeveria Shqiptare dhe ministria e Mbrojtjes do të marrin një vendim për t‘i dhënë problemit një zgjidhje afatgjatë.

Në operacion kanë punuar thjesht ushtarakët apo edhe qytetarët?

Përveç trupave në operacion, në momentet e para është tentuar që në drejtimet nga më të ndryshmet, të futeshin edhe banorë të zonës në sipërfaqen e infektuar. Personat që kërkonin të dinin për viktimat, ishin të pranishëm dhe presioni i atyre ishte shumë i fortë. Moralisht dhe ne ishim të përgatitur për të gjetur një zgjidhje me sa më pak pasoja të mundshme. Gjetja e kufomave, edhe me ndihmën e informacionit të tyre, përveç zgjidhjes së momentit, na ka vënë jo pak herë edhe në vështirësi, deri edhe në rrezikime të mundshme.

Ju ka lënë mbresë ndonjë ngjarje? Çfarë do të tregonit nesër, pasnesër për këtë histori, përveç anës protokollare, anës administrative?

Ne jemi për të zgjidhur situatën, për të lehtësuar dhimbjet e njerëzve dhe për t‘u kthyer sadopak buzëqeshjen atyre. Si ushtarak, por edhe si qytetar, dëshiroj që këtë ngjarje ta harroj sa më shpejt. Do të vijë momenti që do të kthehemi në aktivitetin e përditshëm. Këtë përvojë të fituar patjetër që nuk duhet ta lëmë në sirtar, siç ndodh rëndom. Eshtë një përvojë që ne duhet ta vëmë në eficencë, ta bëjmë prezente.

Eshtë e dokumentuar kjo përvojë në të gjitha momentet?

Në pikëpamje të dokumentacionit të kësaj komande ‘Task Force‘, natyrisht që po. Të gjitha hallkat, që nga Qendra Operacionale që është në eficencë 24 orë e deri në të gjitha nivelet, të gjithë përgatisin dokumentacionin përkatës, që nga urdhri i plotë që duhet bërë për këtë operacion, që nga urdhrat e pjesshëm dhe ditorë, që nga komunikata operative e deri tek komunikata për shtyp. Dokumentacioni është i plotë dhe sigurisht kjo është një përvojë e mirë.

Le t‘i kthehemi pak hallkës së Drejtorisë së Emergjencës Civile. Sipas jush, pse nuk ka funksionuar?

Kjo situatë duhej të përballohej nga Emergjenca Civile e Shtetit. Ne ligjërisht jemi pjesë e saj. Pra, aty ku ishim vendosur ne, duhet të ishte Shtabi i Emergjencës, i cili duhej të drejtohej nga Drejtoria e Emergjencave Civile. Ne duhet të ishim një shtab i vogël, pjesë e këtij shtabi të madh.

Kjo nuk funksionoi, si e përballuat?

Them që, në pikëpamje të bashkëpunimit, gjithçka ka funksionuar si asnjëherë tjetër, por në pikëpamje të asaj që shkruhet në rregullore, pra që Drejtoria e Emergjencave Civile duhet të funksionojë dhe ne duhet të jemi pjesë e saj, nuk ka funksionuar. Ata kanë punuar, punojnë me pushtetin vendor, por aktualisht unë në këtë pozicion, me Drejtorinë e Emergjencave Civile (me përjashtim të një kontakti në fillim dhe disa kontakteve telefonike më pas) nuk kam parë ndonjë bashkëpunim. Kam patur bashkëpunim vetëm me pushtetin vendor.

Po me mediat, si ka funksionuar bashkëpunimi?

Mënyra e komunikimit me të gjithë median, e shkruar dhe televizive, është një përvojë më vete dhe ne duhet të nxjerrim mësimet tona. Konkretisht, Komanda e Operacionit në këtë situatë ishte e detyruar, për shumë arsye, të komunikonte ditët e para me orar dhe pa orar. Na u desh që me të gjitha mediat të jepej çdo ditë konferencë shtypi, duke patur parasysh që të gjitha mediat kërkonin informacion të freskët e të detajuar. Përballë kësaj situate, unë si komandat operacioni shmangesha shpeshherë nga detyrimet e tjera që kisha për organizimin e këtij operacioni dhe gjykoj se kjo ka krijuar probleme në procesin e drejtimit të operacionit. Eshtë e nevojshme që, për përballimin e nevojave për informacion të mediave, në Forcat e Armatosura, në ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm dhe në komandat e vartësisë së tij, të jenë të gatshëm njerëzit e shtypit. Edhe në operacione, duhet të jenë ata që do komunikojnë më shpesh me gazetarët, me qëllim që të lënë komandën e Shtabin të punojnë për drejtimin e operacionit.

VORË

Përfundon rruga

Gërdec-Maqrqinet 2

Rruga që lidh Gërdecin me fshatin Marqinet 2, e gjatë 1.2 km, e cila u shkatërrua nga shpërthimi i 15 marsit, ka përfunduar dhe tashmë është funksionale, si për banorët, ashtu edhe për mjetet. Për ndërtimin e saj u përdorën mbi 1310 m3 çakëll dhe stabilizant. Sipas njoftimit për shtyp të Bashkisë së Vorës, gjithashtu për të përfunduar krejtësisht rrjetin rrugor në këtë zonë, nevojitet edhe ndërtimi i 500 metrave linear rrugë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›