Berisha: Marrja e statusit, Ditë historike për shqiptarët - nderim në 100 vjetorin e Pavarësisë

Ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi i dorëzon Kryeministrit dokumentin e progres-raportit. Sequi: “Raporti, rruga për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”
Pas prezantimit të progres-raportit për Shqipërinë nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, i cili rekomandoi që t’i jepet vendit tonë statusi i kandidatit në Bashkimin Evropian, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi zhvilloi një takim me kryeministrin Sali Berisha në selinë e Këshillit të Ministrave, të cilit i dorëzoi dokumentin mbi progresin vjetor të Shqipërisë.
Ambasadori Sequi e cilësoi një sinjal të rëndësishëm për Shqipërinë, marrjen e statusit kandidat në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Duke vlerësuar arritjet, Sequi u shpreh se ky raport tregon edhe rrugën e duhur për të ardhmen, që janë miratimi i reformës në gjyqësor, reforma në administratën publike dhe rishikimi i rregullores së parlamentit, detaje edhe për projektligjin e Gjykatës së Lartë dhe ligjin e shërbimit civil. “Ky Raport është edhe mjeti i duhur, i cili tregon edhe udhën për të ardhmen. Me pak fjalë, pasi në fakt do të kemi një konferencë shtypi më vonë, dëshiroj t’ju them se këtu janë mbuluar përparimet, ecuritë apo progresi i bërë gjatë vitit të shkuar. Duke u bazuar në këtë ecuri, Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pasi të jenë përmbushur disa kritere kyçe. E në veçanti në disa fusha kryesore, të cilat janë në fakt kyçe, që kanë të bëjnë me reformën në gjyqësor, reformën në administratën publike, si dhe rishikimin e rregullores së parlamentit. Për sa i përket detajeve, më vonë do të kemi të bëjmë me projektligjin për Gjykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil. Ndërkohë, ajo që dëshirojmë të shikojmë është një angazhim i vazhdueshëm për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por është e rëndësishme të theksoj se progresi apo ecuria e mëtejshme e Shqipërisë në rrugën e mëtejshme të Bashkimit Evropian, duhet bazuar në disa fjalë kyçe, të cilat e kanë çuar Shqipërinë në atë arritje që kemi parë sot. Më kryesisht, marrja në konsideratë e faktit që integrimi në Bashkimin Evropian është objektiv e prioritet kombëtar, i cili ndahet nga të gjithë, i cili bazohet në një proces gjithëpërfshirës që me pak fjalë do të thotë mobilizim rreth këtij motivi të vetëm të përbashkët, të të gjitha energjive të vendit”, tha ai.
Gjithashtu ambasadori i BE-së falënderoi kryeministrin Berisha për bashkëpunimin për rolin që ka luajtur edhe ministria e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu dhe Komisioni i Integrimit, i drejtuar nga zoti Bushati. “Unë shfrytëzova këtë mundësi të falënderoja Kryeministrin për bashkëpunimin, për rolin që ka luajtur edhe ministrja e Integrimit Evropian, së bashku me Komisionin Parlamentar për Çështjet e Integrimit Evropian, i cili udhëhiqet nga zoti Bushati. Ne kemi besim që këto tregues, për të cilët kemi folur sot, do të çojnë në përmbushjen e këtyre reformave, të cilat, për mendimin tim, janë në mënyrë absolute thelbësore. Një fjalë të fundit që ka të bëjë me këndvështrimin edhe nga jashtë, që kjo e gjitha do të ishte tejet e rëndësishme, pasi ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, viti i 100 vjetorit të pavarësisë”, theksoi më tej ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.
Kryeministri Berisha: Gjithçka për projektin e shekullit, integrimin e Shqipërisë në BE
Kryeministri Sali Berisha e konsideroi këtë raport si dokumentin më të rëndësishëm historik që Shqipëria ka marrë nga Brukseli në këto 22 vite bashkëpunimi dhe vlerësimi më i madh për vendin tonë në 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit. Kreu i ekzekutivit shprehu angazhimin e tij për të punuar me përkushtim mbi këtë agjendë që është dhe projekti kryesor i këtij shekulli, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Së pari, dëshiroj të theksoj se në këto 22 vite bashkëpunimi luajal, intensiv me Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian, ky është dokumenti më i rëndësishëm që kemi marrë nga Brukseli deri me sot. Ky është një dokument historik, me të cilin Komisioni Evropian, u rekomandon vendeve anëtare për Shqipërinë statusin e vendit kandidat. Por, zoti Ambasador, duhet të theksoj se 100 vjet përpjekje të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në periudhat që ata kanë qenë të lirë, nuk kanë pasur dhe nuk kanë synim tjetër, veçse bashkëpunim, integrimin dhe vendosjen e vendit të tyre në gjirin e familjes së kombeve të zhvilluara dhe të qytetëruara të Evropës. Në këtë kontekst, ky është vlerësimi më i madh që Komisioni Evropian i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100 vjetorin e tyre te pavarësisë. Është një rast i shkëlqyer për të falënderuar shumë përzemërsisht qytetarët shqiptarë, të cilët kanë mbështetjen më të lartë për procesin e integrimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian. Kjo mbështetje përben për qeverinë time një energji të madhe, përkushtim të madh, për të punuar në këtë anxhendë, si projekti kryesor i këtij shekulli për shqiptarët. Një falënderim shumë të përzemërt unë dua t’i bëj administratës së këtij shteti, e cila me një përkushtim të madh është angazhuar në një proces universal reformash, të detajuara në planin e veprimit dhe të konkretizuara me rezultate konkrete, të cilat kanë bërë të mundur, mendimin pozitiv të Komisionit Evropian për statusin për Shqipërinë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri vlerësoi kontributin e opozitës në drejtim të përmbushjes së reformave, pas thyerjes së bojkotit parlamentar që e mbajti atë jashtë parlamentit prej 2 vitesh. “Shpreh vlerësimin për kontributin e opozitës, e cila pasi u shkëput nga praktika bojkotit dhe bllokimit bëri të mundur votimin e ligjeve të rëndësishëm si kodi zgjedhor, imuniteti dhe ligje të tjera”, theksoi kryeministri, duke falënderuar dhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe komisionarin e Zgjerimit, Stefan Fyle për angazhimin e madh dhe mbështetjen që i kanë dhënë vendit tim e qytetarëve në këtë proces me rëndësi historike për ta. “Komisioni tregon qëndrimin e tij për vlerësimet e palëkundura të Shqipërisë dhe kërkon të votohen 3 ligje që janë në parlament. Ne do bëjmë çdo gjë që është mundur që ato ligje të votohen që javën që vjen. Nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse pranimin e parimeve themelore të sistemit demokratik”, tha Berisha, ndërsa garantoi shqiptarët dhe ndërkombëtarët se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do jenë një proces i lirë dhe i ndershëm, në mënyrë që me zgjedhjet të dëshmojmë hapjen e negociatave me BE. “Raporti sugjeron hapjen e negociatave pas procesit zgjedhor dhe vlerësimit të këtij procesi e konsideroj logjik këtë kërkesë. Do bëjmë gjithçka për proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Së dyti gjëja më normale që fushata në prag të fillimit të saj të tregohet durim që pas përfundimit të zgjedhjeve dhe me to të dëshmojmë që meritojmë hapjen e negociatave”, tha më tej ai.