E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria “Berisha” e mori statusin, “kushtëzimet” janë për opozitën e Ramës

11-10-2012 / Nga Redi Agolli

Shqipëria nuk ngeli në vjeshtë siç parashikoi Kasandra e dështuar Rama. Përkundrazi, e kaloi atë, jo me një note modeste kaluese, por me një relativisht të lartë. Bashkimi Europian, pasi ka shqyrtuar progresin që ka bërë Shqipëria me plotësimin e  rekomandimeve, ka marrë vendimin që t’i japë vendit tonë statusin e vendit kandidat. “Komisioni Europian rekomandon t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit, ka shënuar sukses në plotësimin e disa reformave substanciale”, u shpreh Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, gjatë fjalës së tij, duke shtuar se deri në dhjetor duhet të miratohen: Ligji Për Shërbim Civil; Ligji për Gjykatën e Lartë; dhe reforma parlamentare. Në shumë media, dhënia e statusit është çiftëzuar bashkë me mbiemrin “i kushtëzuar”, me qëllim që të lexohet në mënyrë të atillë që të nënkuptojë se po s’u miratuan këto reforma në dhjetor, do të ndodhë diçka që realisht është qesharake, absurde dhe jo pjesë e rregullave të BE-së - Shqipërisë do t’i hiqet statusi. Fjalimi i komisionarit Fyle duhet lexuar përtej kësaj kornize të cunguar, djallëzore dhe tinëzare, jo me gjyzlykët e atyre që po digjen nga inati se dështuan të bllokonim Shqipërinë në këtë hap të madh drejt integrimit në BE. Ajo duhet lexuar me gjyzlykët e një evropiani për të shmangur interpretimet dashakeqëse, pasi vetëm duke lexuar si evropian, do të kuptojmë më mirë Bashkimin Europian dhe frymën që solli krijimin e kësaj aleance shtetesh demokratike, veçanërisht rëndësinë e konsensusit. Vetë Bashkimi Europian është ngritur mbi bazën e konsensusit midis shteteve evropiane, të cilat edhe pse kishin një inat për njëra tjetrën po aq të madh sa vitet historike të luftërave që zhvilluan, reflektuan dhe arritën të bashkëpunonin. Ishte ky konsensus, si pjesë e frymë evropiane-demokratike, që çoi në krijimin e Komitetit të Çelikut dhe Qymyrit, në nënshkrimin e Traktatit të Romës dhe në ndërtimin e asaj që përbën sot Bashkimin Europian në rrafshin organizativ dhe të asaj fryme demokratike që përfaqëson, ku konsensusi qëndron si qendër gravitacionale që mban 27 vende të bashkuara në një flamur. Për këtë konsensus flet komisioneri Fyle, për të cilën Shqipëria ka shumë nevojë, pra për një konsensus për të cilin ia vlen të arrihet për një kauzë të madhe pavarësisht se shikimi nga e shkuara apo nga problemet e së tashmes na tundojnë drejt politikave destruktive dhe bllokuese. 
Për këtë arsye parashtrova frymën e konsensusit dhe rëndësinë e tij, si një nga elementët kryesorë të ekzistencës dhe jetëgjatësisë së Bashkimit Europian, pasi ai përbën “x” e pazbuluar qëllimisht nga disa medie, i cili na lejon të nxjerrim përfundimin e vërtetë të këtij ekuacioni fjalësh të komisionarit Fyle, pasi siç ka theksuar vetë KE , “sigurimi i qëndrueshmërisë së dialogut politik (pra, arritja e konsensusit) është thelbësor për funksionimin e institucioneve demokratike dhe për rrugën e Shqipërisë në BE”.
Përfundimi i këtij ekuacioni është i thjeshtë për t’u gjetur, duke patur parasysh të dhënat që kemi: Së pari, Shqipëria e ka marrë statusin e vendit kandidat dhe për këtë nuk mund të bëhet regres, dhe se në fjalorin dhe rregullat e BE-së nuk ekziston nocioni i “statusit të kushtëzuar”. Statusi, o merret o s’merret, nuk jepet përgjysmë. Së dyti, kontributin kryesor dhe masiv që ka qeveria “Berisha” në arritjen e këtij suksesi historik për vendin tonë, dhe pasivitetin dhe destruktivitetin që ka treguar opozita për të bllokuar marrjen e statusit.  Ligjet me 3/5 të miratuar muajt e fundit, si pjesë e 12 rekomandimeve janë miratuar me vonesë dhe me kapsllëk nga Rama, të imponuara nga presioni i madh i Trojkës SHBA-BE-OSBE, e cila pasqyroi se konsensusi i opozitës me maxhorancën ishte fiktiv. Ishte fiktiv, pasi duke marrë parasysh konceptin e konsensusit që përkthehet në “bashkimin e dy vullneteve në një pikë të vetme(që në rastin tonë ishte marrja e statusit)”, realisht nuk ekzistoi vullneti i opozitës në këtë hap të madh që bëri dje Shqipëria drejt BE-së. Ligjet me 3/5 janë miratuar nga maxhoranca dhe opozita, por gishtin “pro” tyre e ka shtypur presioni i trojkës SHBA-BE-OSBE, jo vullneti i Ramës. Duke marrë parasysh kohën relativisht të vogël që u desh për të miratuar ligjet me 3/5, Rama tregoi se marrja e statusit ishte një hap i madh që kërkonte një hap të vogël, vetëm një dhënie dore maxhorancës-konsensusin- dhe se Shqipëria mund ta kishte marrë që në 2010 nëse Edvini nuk do ta kishte bojkotuar parlamentin në 2009.
Ky rrjedhim kronologjik, na çon tek zbulimi i të vërtetës dhe çrrënjosjes së mbiemrit “ i kushtëzuar” nga statusi për ta transferuar atë tek opozita. Kërkesa e komisionerit Fyle për miratimi i ligjeve për Gjykatën e Lartë, Shërbimin Civil dhe reformës parlamentare është ftesë dhe njëkohësisht apel që BE-ja i bën opozitës së Ramës për të qenë kontribuuese në proceset integruese të Shqipërisë. Statusi Shqipëria e ka marrë, nuk ka më kthim prapa, të ashtuquajtura “kushtëzime” nuk janë veçse një thirrje për katarsis për opozitën, që të pastrohet nga “njollat” bizantine anti-shqiptare. Por, marrja e statusit nënkupton se Shqipëria la pas një fazë integruese për të hyrë në një tjetër, më të rëndësishme se e para dhe më të afërt me integrimin në Bashkimin Europian. Ajo është arritje e madhe po nuk do të thotë se i mbaruam punët e shtëpisë. Përkundrazi, ajo dikton dhe shërben si muzë që i detyron palët politike që të vazhdojnë konsolidimin e mëtejshëm të shtetit demokratik për të çelur negociatat për integrim me BE-në, mision ky i cili ka nevojë pa dyshim për konsensusin e pastër të opozitës. Kësisoj, “kushtëzimet” nuk i drejtohet Shqipërisë por opozitës së Edvin Ramës, e cila ka kohë deri në dhjetor që të provojë që është e denjë për të qenë opozitë e një vendi kandidat në BE. Këtë nënkupton deklaratat e komisionarit Fyle.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›