Berisha: Mazhoranca i bëri lëshimet për imunitetin, Rama ta votojë
Po lexohet përditë pengmarrja e kreut të opozitës nga miliarderët që u tremben organeve të drejtësisë, të cilët po luajnë aktualisht rolin e nënkryetarëve-hije të PS-së. Shefi i mazhorancës deklaroi dje se s’ka më kohë për t’u menduar dhe se 6 gushti ishte prova kur opozita mund të tregojë se e do integrimin në BE si dhe heqjen e imunitetit
Berisha në mbledhjen e grupit të PD: “Isha një nga të paktit kryeministra apo presidentë që patën një takim të posaçëm me kryeministrin Cameron”
Kryeministri Sali Berisha trajtoi dje në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar demokrat çështje të tilla si heqja e imunitetit, vizita në Londër dhe takimet me zyrtarë të lartë atje apo dhe vendosja e rekordit personal në not të dielën në Dhërmi.
Duke u ndalur te kufizimi i imunitetit, pasi afati parlamentar po afron (6 gusht), kryeministri Berisha i ka adresuar një tjetër apel kreut të PS-së Edi Rama që të lejojë deputetët socialist të votojnë draftin konsensual. Kryeministri vuri në dukje se, në historinë e politikës botërore, nuk ekziston as edhe një rast i vetëm në të cilin opozita kundërshton heqjen e imunitetit, në të cilin opozita e do qeverinë dhe qeveritarët me imunitet.
Ndërsa solli në vëmendje se mazhoranca i ka bërë Edi Ramës çdo lëshim të mundshëm, me qëllim që ai të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë në datën 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit.
“Edhe njëherë, dua të qartësoj qytetarët shqiptarë se kjo mazhorancë i ka bërë zotit Rama çdo lëshim të mundshëm, me qëllim që ai të lejojë grupin e tij parlamentar të votojë në datën 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit. Është zoti Rama ai që ka kërkuar rreth 7 vjet me radhë që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës dhe ne këtë e pranuam. Zoti Rama, pas kësaj iu kundërvu draftit të përgatitur nga ekspertët më të mirë ndërkombëtar, veçanërisht në dy klauzola; në klauzolën e kontrollit të banesës. Një mik i imi më kishte thënë se mund të ndodhë çdo gjë në botë, por ata nuk do ta pranojnë këtë gjë. Ai më thotë një rast konkret, kur para disa vitesh, u diskutua se mund të kërkohej heqja e imunitetit, nga prokuroria, për njërin prej tyre dhe atij iu desh 1 javë për të sistemuar 4 milionë euro që mbante në arkë, në sënduk, në shtëpi. Unë nuk i numërova ato, por po ju them absolutisht se çfarë më tha një njohës i tyre shumë i hollësishëm. Ata kërkuan që të mos ketë kontroll banese pa leje dhe ne e pranuam, kërkuan që të mos ketë arrest, pa marrë miratimin e parlamentit dhe ne e pranuam. Pra, çdo kërkesë që ata kërkuan, ne ua pranuam”, u shpreh Berisha.
Nga heqja e imunitetit, theksoi Kryeministri, humbasin vetëm ata të cilët u duhet imuniteti për të mbrojtur pasurinë e tyre të paligjshme, veprimtarinë e tyre të paligjshme. Shefi i ekzekutivit e cilësoi votimin e heqjes së imunitetit si dritë jeshile për të ardhmen evropiane të vendit.
“Nëse ti nuk do, thuaju zotëri se unë nuk mund të prek imunitetin e miliarderëve të mi. Dje ata bënë një akt të veçantë, deklaruan se ne jemi të gatshëm të rrimë pa imunitet. Por tre prej tyre nuk u shprehën, për të mos thënë edhe më i rëndësishmi i tyre, i cili është edhe ‘Eminenca gri’ i PS-së, defakto, nënkryetari i saj, zoti Kokëdhima. Ai nuk u shpreh. Ju do thoni se përse duhet të shprehet ai. Administrimin e kryetarit e ka ky zotëri. Po të kemi parasysh të gjithë në PS, përveç fabrikës së 99-ave, “eminenca gri” është ky zotëri që ka hapur me dhjetëra procese ndaj kryeministrit, për faktin e vetëm se deklarova njëherë në Himarë se ai i ka vënë brirë Himarës, ose i ka zënë sytë me ato pallate që ka ndërtuar. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është se ai nuk lejoi këta zotërinj të votojnë heqjen e imunitetit. Ai i krahason ata me republikanët. Këta thotë ai, kanë hyrë në politikë si republikanë. As Sterkaj vet nuk e pranon këtë punë. Vetëm ai mund ta bëjë një krahasim të tillë. Kaq shumë është i detyruar ndaj atyre, kaq shumë është i kurbuar ndaj tyre, saqë i duken si republikanë. Ngadalë - ngadalë, ai do të thotë se PS është një parti republikane. Fjalën më të vështirë që ka për të shqiptuar ky zotëri është fjala ‘socialiste’. E thotë ndonjëherë a thua sikur ka bërë ushtrime logopedie, për ta nxjerrë atë fjalë. Njëherë ia nis me ‘as djathtas as majtas’, pastaj me ‘përtej të djathtës e të majtës’, pastaj e katandis kokoshin një thelë, në Parti Socialiste. Ne duhet të votojmë në datë 6 dhe unë i bëj thirrje zotit Rama: një akt të tillë madhor ta shndërrojmë në histori suksesi për të gjithë qytetarët shqiptarë. Nuk fiton qeveria, nuk fiton opozita, fitojnë të gjithë së bashku. Kjo nuk është një garë për kredibilitete, sepse ne sot po bëjmë atë që ligjvënësit, në vendet më demokratike të botës, e kanë bërë dhjetëra e qindra vjet më parë. Po pranojmë një parim universal se, njerëzit lindin të barabartë para Zotit dhe ligjit, se Zoti i bën njerëzit të barabartë, pranojmë t’u heqim qytetarëve shqiptarë nga shpatullat një armik të egër që në dhjetëra e qindra vendime në Gjykata, u mohon të drejtat e tyre, një armik të egër që po bllokon rrugën evropiane të tyre. Kjo është një kërkesë universale e miqve tanë, e Komisionit Evropian, shprehur kjo në një letër nga Komisioneri Fyle dhe, së fundi, nga Departamenti i Shtetit, shprehur në mënyrë të përsëritur, nga përfaqësuesi i Presidentit Obama në Shqipëri, ambasadori Arvizu, nga të gjithë miqtë tanë kudo që janë; të votojmë heqjen e imunitetit. Ne të kemi plotësuar çdo kërkesë për imunitetin zotëri. Deshe heqje me Kushtetutë, e bëmë me Kushtetutë, deshe të mos ketë heqje të plotë por kufizim, e pranuam, deshe që çështja e arrestimit të bëhet me leje të parlamentit, ndonëse u largove nga një parim që nuk mund të largohet kurrë një politikan, e pranuam, deshe të mos kontrollohet banesa pa leje, sepse janë sëndukë që nuk dinë ku t’i çojnë dhe duhet të kenë kohë, edhe këtë e pranuam, me idenë se, sot bëjmë këtë hap shumë të rëndësishëm, çojmë një mesazh të madh në Evropë e në botë dhe procesi është në dinamizëm”, tha ai.
Ndërsa komentoi dhe reagimin e 3 deputetëve socialistë Berisha shtoi se, “ata bënë një deklaratë, por sot i pashë tek thoshin që do votojmë, por po na tha kryetari. Domethënë, e kanë varur gozhdën te kryetari, sigurisht te arka e partisë, kjo punë është e qartë. Kryetari, si shpërblim, i krahasonte ata me republikanët. Të krahasosh Fidelin me republikan, një kryebixhozxhi të Ballkanit, do me thënë që të të ketë verbuar, njëherë me pallate, e pastaj me të gjitha”.
Kreu i qeverisë iu referua edhe deklaratave të opozitës se data 6 gusht është caktuar nga shumica duke theksuar se kjo datë është detyrim ligjor.
“Data 6 është detyrim ligjor i amendamentit që ka sjellë PS për procedurën e ndryshimeve kushtetuese. Po të kemi parasysh, në mbledhjen e fundit të kryesisë, përfaqësuesit socialistë e pranuan që ky është një proces i përcaktuar në rregullore. Aq më tepër, në datën 12 korrik, në seancën plenare të Parlamentit, as edhe një socialist i vetëm nuk kundërshtoi rendin e ditës kur u caktua data 6 për votimin e ndryshimeve kushtetuese. As edhe njëjtë i vetëm, as edhe ata që e kundërshtojnë tani. Pra, data 6 gusht është e përcaktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit, është datë e përcaktuar me konsensus në datën 12 korrik, në seancën e parlamentit”.
Kryeministri informon deputetët për vizitën e tij në Londër
Kryeministri Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e grupit të PD, u ndal veçanërisht në pritjen që Mbretëresha Elisabeta e II shtroi në Buckingam Palace për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive që merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike si dhe mbi takimin e veçantë të zhvilluar në Pallatin Mbretëror me Kryeministrin britanik David Cameron. Duke u ndalur tek takimi me kryeministrin britanik, David Cameron Berisha tha se u diskutua rreth problemeve e zhvillimeve në Shqipëri dhe zhvillimeve në Rajon. Kreu i qeverisë theksoi se ka ftuar homologun e tij britanik, të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Kryeministri veçoi si madhështore pritjen e organizuar nga Mbretëresha Elisabeth II në Buckingam Palace për të gjithë kryetarët e shteteve dhe qeverive që kishin shkuar për të marrë pjesë ne ceremoninë e hapjes. Berisha tha se në këtë pritje takoi Princin Charles të cilit i përcolli ftesën të vijë në Shqipëri.
“Princi më siguroi se ai do shumë që ta vizitojë Shqipërinë”, bëri të ditur Berisha.