Berisha: Mazhoranca ka përjashtuar shqiptarët nga procesi i integrimit

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se mazhoranca ka përjashtuar shqiptarët nga procesi i integrimit evropian.
Në një prononcim për mediet jashtë Kuvendit, Berisha tha se qeveria është një “institucion antitransparence”, duke fshehur informacionet kryesore që lidhen me negociatat me Bashkimi Evropian.
Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend që negocion përmes “lobimeve korruptive” dhe jo mbi bazën e parimeve të përcaktuara nga BE.
“Qeveria është një institucion i antitransparencës në Shqipëri. Një institucion që bën gjithçka të fshehë ndaj shqiptarëve problemet madhore të jetës së tyre, ndër të cilat edhe procesin e integrimit. Shqipëria është i vetmi vend që negocion bazuar në lobime korruptive dhe jo në parimet themelore të përcaktuara nga BE për procesin e integrimit. Narkomazhoranca me lobimin korruptiv të saj arrin të përjashtojë totalisht shqiptarët nga procesi i integrimit”, tha ai.
Berisha tha se ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, qytetarët shqiptar nuk informohen mbi zhvillimet pas takimeve në Bruksel, përfshirë edhe raportet e ndërmjetme të vlerësimit për kapitujt kyç që lidhen me shtetin ligjor, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.
“Në qoftë se në të gjitha vendet përreth, ju e keni dëgjuar raportin IBAR, çfarë është raporti IBAR, raporti IBAR është raporti i vlerësimit të ndërmjetëm, jo përfundimtar të dy kapitujve kryesorë, kapitujt për themeloret, shtetin ligjor, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Ju duhet ta dini se opozita merr vesh përmes miqve të saj në takimet e COELA-s, sepse qeveria nuk jep asnjë njoftim.
“Ndërkohë përfaqësuesi i qeverisë, ky nuk është një proces i mbyllur brenda përfaqësuesve të vendeve anëtare, aty merr pjesë përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, i cili merr përsipër të mos i thotë asnjë fjalë vendit të tij, përveçse kryeministrit dhe ministrit të tij”, tha ai.
Sipas tij “Shqipëria nuk e bazon procesin e integrimit në një proces transparent dhe gjithëpërfshirje, por e bazon këtë proces në lobime të turpshme korruptive”.
“Dhe unë i bëj thirrje Komisionit Europian, i bëj thirrje BE, u bëj thirrje vendeve anëtare të denoncojnë këtë praktikë të turpshme, unike, asnjë vend tjetër nuk e ndjek”, tha ai.
Berisha shtoi se Shqipëria nuk përmbush kriteret e kërkuara nga BE për integrimin, përveç aspektit gjeopolitik.
“Ngrihen këtu dhe akuzojnë opozitën për fjalimet që mban në Strasburg, për kërkesat që paraqet. Tani, duhet t’u them ju, ne kemi deklaruar dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ky vend, përveç kriterit gjeopolitik, ky vend në mënyrë absolute nuk plotëson asnjë kriter tjetër të kërkuar nga BE në procesin e integrimit”, tha ai.
/m.q/a.f/