Rama: 24 prilli, dita e shkuljes së veshit
Kryetari i PS-së, Edi Rama, në një postim në rrjetin social Twitter, komentoi deklaratën që një ditë më parë bëri organizatori i aktivitetit në Akademinë Diplomatike të Vjenës, Fate Velaj, në lidhje me incidentin mes kryesocialistit dhe diplomatit Egin Ceka, duke thënë se ky i fundit nuk ishte i regjistruar për dialog. Propozim i Fate Velaj: 24 prilli të shpallet dita e Shkuljes së Veshit. Jam kurioz sa like merr ky propozim(?)! ironizoi Rama. Organizatori i takimit, Fate Velaj, një ditë pas ngjarjes sqaroi për Shqip të gjitha rrethanat. Takimi u zhvillua për të pasur një diskutim mbi vizionin dhe programin e kreut të opozitës, Edi Rama, në lidhje me zhvillimin e vendit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjithçka u zhvillua normalisht, pati diskutime, pyetje, përgjigje nga të pranishmit. Në radhën e parë ishin ftuar përfaqësuesit e trupit diplomatik, pra të ambasadës sonë në Vjenë, dhe përfaqësisë në OSBE, por nuk erdhi askush. Në mbyllje të takimit mbërriti zoti Ceka, i cili u ul në radhët e fundit. Diplomati shqiptar nuk bëri pyetje dhe gjithçka shkoi normalisht. Pasi u mbyll aktiviteti, të pranishmit u ftuan në një koktej që ishte shtruar për të diskutuar më lirshëm. Në këtë moment, zoti Ceka u afrua dhe i foli ashpër zotit Rama, duke i thënë pse më ke sharë e gjëra të tilla. Kreu i opozitës i ka thënë që çjanë këto që thua dhe ka shmangur debatin. Gjithçka është mbyllur me kaq dhe nuk ka pasur asnjë incident. Nuk e kuptoj pse është ngritur e gjitha kjo. Ndërkohë, të hënën do të votohet në Parlament ngritja e komisionit hetimor për incidentin e ndodhur në Vjenë mes kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe diplomatit shqiptar pranë OSBE-së, Egin Ceka. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi mesditën e së premtes në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor “Për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”.
Rama: 24 prilli, dita e shkuljes së veshit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email