E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mbështesim pa kushte protestën e jashtëzakonshme rinore e qytetare

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha garantoi sot se PD do të mbështesë pa kushte protestën heroike dhe të jashtëzakonshme rinore e qytetare.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se “PD dhe protesta janë të lidhura njëlloj si syri me dritën”.

“Kjo protestë meriton vlerësimet më të mëdha jo vetëm për guximin heroik që shpalos, jo vetëm për persistencën dhe masivitetin e saj, por kjo protestë i ka kryer kombit një shërbim jashtëzakonisht të çmuar. Sondazhet e kanë nxjerrë tani Edi Ramën me 29 pikë në rënie pikiatë. Kjo do të thotë me statistikë që Edi Rama ka marrë fund. Edi Rama po zhytet në një spirale pa kthim mbrapa dhe nuk ka Diellë, nuk ka besë besëpreri, nuk ka satelit, nuk ka pasqyrë që të shpëtojë sepse për herë të parë Edi Rama del me pikë më poshtë se partia e tij e krimit”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, “dorëheqja për Edi Ramën do ishte skenari më pak i dëmshëm për të në këto kushte”.

“Edi Ramës i duhet pushteti për të mbrojtur vjedhjet e qindra miliarda eurove që u ka bërë shqiptarëve. Ndaj është detyra jonë si opozitë e vërtetë e Shqipërisë që të bëjmë gjithçka që të çojmë Edi Ramën në dorëheqje”, tha ai.

Berisha theksoi se si partia më e madhe opozitare, PD është angazhuar në mbështetje të plotë në forma të ndryshme të kësaj proteste.

“Së pari, me numra. Me qindra dhe mijëra anëtarë, mbështetës tanë nga Tirana, por edhe nga rrethet, deputetë, drejtues qendrorë dhe lokalë të PD, kanë marrë dhe do marrin pjesë në protestë dhe normalisht pa simbole, pa protagonizëm partiak, por si qytetarë, duke u përshtatur dhe duke respektuar plotësisht tiparin rinor qytetar të kësaj proteste në të vërtetë jopartiake”, shtoi ai.

Berisha theksoi se vetëm katër vitet e fundit, demokratët kanë zhvilluar mbi 420 protesta.

Kreu i PD-së foli edhe për situatën e zjarreve me të cilën po përballet vendi ndërsa u shpreh se zjarret dogjën Shqipërinë këtë verë si rrallë ndonjë vit më parë pasi mungoi menaxhimi.

“Fondet e emergjencës për zjarret kishin shkuar për koncerte për të shuar protestën.
Por këtë verë, zjarret si asnjëherë më parë, dogjën edhe më shumë se kaq. Zjarret dogjën teserat e partisë së krimit”, shtoi ai.

Berisha foli po ashtu edhe për arrestimin e Ergys Agasit. “Kjo verë shkriu plotësisht propagandën e drejtësisë së re. Edi Rama shpërfaqi hapur kontrollin e tij të plotë mbi SPAK-un e partisë”, shtoi ai.

Ndaj Berisha theksoi rëndësinë e një proteste masive, ndërsa u shpreh se “PD u faktoi të gjithë shqiptarëve se iu përmbajt plotësisht qëndrimeve të shpallur prej saj ndaj protestës”.

“Demokratët kanë qenë dhe do jenë çdo ditë në protestë sepse kërkesat e drejta të protestës kanë qenë kërkesa dhe kauza kryesore të PD-së për të cilat kjo parti ka luftuar dhe mbrojtur me vendosmëri dhe pavarësisht nga çmimi në komisione parlamentare, seanca parlamentare, në rrugë, në sheshe, në studio televizive, në protesta, në konsulta të gjera me shoqërinë civile dhe në të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare. Pikërisht për këto dy arsye, çdo demokrate dhe demokrat duhet të pyesë veten se cfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë për këtë protestë dhe mbështetjen e saj”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së deklaroi se PD do të mbrojë dhe do të dënojë me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve.

“E kemi bërë dhe do ta bëjmë këtë. Do mbrojmë protestën me të gjitha potencialet tona, në media, në parlament, në rrjetet sociale dhe në çdo hapësirë, kudo që protestuesit sulmohen”, shtoi ai.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›