Berisha: Kandidati për president, jo nga politika

Kryeministri Sali Berisha / Foto LSA
Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar opozitës që të propozojnë kandidatin e saj për president. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë është shprehur se mazhoranca ka hequr dorë nga kandidimi për postin e presidentit të një figure politike. Berisha e argumentoi këtë me faktin se nuk mund të arrihet konsensusi duke propozuar një politikan.
Nuk mund të ftosh opozitën, dhe ajo nuk mund të të ftojë ty, që të konsiderojë të votojë kandidatura të fushës dhe bekgraund politik, tha kreu i PD-së.
Kryeministri, duke shprehur mbështetjen për kandidatin e propozuar nga forcat politike të koalicionit mazhoritar, ftoi opozitën që edhe ajo të bëjë propozimin e saj për postin e kreut të shtetit.
Po vjen edhe raundi i tretë. Uroj që të votojmë së bashku raundin e tretë dhe kandidaturën më të mirë. Ndaj, duke iu shprehur mbështetjen e plotë kandidatit tonë, ftoj opozitën që ta shqyrtojë, sikundër e ftoj atë të propozojë edhe kandidatin e saj. Jemi të angazhuar në një proces konsultimesh civile, të përgjegjshëm dhe në interes të procesit e të vendit, deklaroi Berisha para deputetëve të PD-së.
Një qëndrim i tillë shuan plotësisht shpresat e kandidatit të vetëshpallur, Fatos Nano, i cili ka kërcënuar Ramën se nëse nuk e kandidon, do të krijojë fraksion brenda PS-së. /F.S./