Dështon raundi i 2 për presidentin, raundi i tretë vendoset të enjten

Kuvendit do të vendosë të enjten për datën kur do të zhvillohet raundi i tretë i votimit për presidentin e ri të shtetit. PD dhe PS nuk kanë arritur sërish konsensus në konferencën e kryetarëve për të vendosur në lidhje me raundin e tretë.
Ndërkohë është konsumuar sërish pa asnjë kandidat konkret, raundi i dytë i votimit për presidentin e ri në Kuvend. Seanca e sotme plenare zgjati vetëm 3 minuta ku kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se raundi quhet i ezauruar.
“Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë votimi quhet i kryer. Njoftoj mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pas një ore për të vendosur datën e raundit të tretë të votimit për presidentin e ri të vendit” theksoi Topalli, duke njoftuar edhe mbylljen e seancës.
Edhe takimi i zhvilluar dje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së Edi Rama nuk dha asnjë rezultat konkret. Në deklaratat e tyre, kryetarët e dy partive kryesore theksuar se secili kishte shprehur qëndrimet e tij pa gjetur pika të përbashkëta. Sipas kryeministrit Berisha shumica është e vendosur të kërkojë konsensusin sipas asaj që përcakton kushtetuta në raundet e para të votimit.
Ndërsa Rama saktësoi se në takim nuk ishte folur për emra dhe se kishte kërkuar që "të ndërtohet një kornizë parimore brenda së cilës mund të gjendet konsensusi dhe opozita mund të japë konsensusin"
Ndërkohë seanca e sotme është ndjekur edhe nga ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, nga ambasadori i BE-së Ettore Sequi si dhe nga ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë.
Mblidhet grupi parlamentar i PS-së
Ndërkohë një orë para seancës parlamentare është mbledhur edhe grupi parlamentar i PS-së për të diskutuar në lidhje me qëndrimin që do të mbajë në raundin e dytë të votimit për Presidentin e vendit. Edhe pse pas përfundimit të mbledhjes nuk është dhënë asnjë deklaratë nga PS-ja gjasat janë që qëndrimi të jetë gati i njëjtë me atë të raundit të parë, që u mbajt të mërkurën e javës që shkoi, në datën 30 maj, për shkak se në takimin Rama-Berisha, që nuk u fol për ndonjë emër konkret.
Komisioni i ligjeve miraton raportin
Gjithashtu sot është mblidhur edhe Komisioni i ligjeve i cili ka miratuar edhe raportin në të cilin zyrtarizohet se asnjë firmë deputetetësh nuk është paraqitur si mbështetje për emra konkretë për President. Deputeti PD-së, Viktor Gumi ka konfirmuar se nuk ka ende asnjë kandidat zyrtar për garën presidenciale. Për pasojë, votimi i dytë do të quhet i ezauruar, “votim i kryer pa asnjë kandidat”.
Me anë të një projekt raporti që i ka paraqitur Kuvendit sot, ky komision deklaron se asnjë deputet nuk ka hedhur firmën në mbështetje të ndonjë kandidati konkret për President. Në mbledhje kanë munguar deputetët e opozitës.
Procedurat
Në Kushtetutë është vendosur që procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të bëhet në pesë raunde nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet brenda shtatë ditëve, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. Çdo votim do të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat.
“Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.
Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit, anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori por kjo kandidaturë nuk është votuar sërish sot nga opozita.